3 Mars 2026, DITA BOTËRORE E DËGJIMIT
Nga përkujdesja në komunitet tek siguria në shkollë
Në mbarë botën, shumë fëmijë të moshës shkollore me humbje dëgjimi mbeten të padiagnostikuar dhe pa akses në shërbimet e nevojshme. Humbja e dëgjimit prek rreth 90 milionë fëmijë dhe adoleshentë të moshës 5–19 vjeç në të gjitha rajonet e botës dhe megjithatë, ajo shpesh mbetet e pazbuluar, sidomos në vendet me burime të kufizuara të ardhurash.
Më shumë se një miliardë të rinj përballen sot me rrezikun e humbjes së përhershme të dëgjimit për shkak të ekspozimit të tejzgjatur ndaj zhurmave të larta gjatë aktiviteteve argëtuese, si dëgjimi i muzikës, videolojërat etj.
Humbja e dёgjimit mund tё rezultojë nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatё lindjes, nga disa sëmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, dëmtimet traumatike tё kokës dhe të veshit, përdorimit të disa mjekimeve specifike, moshimi, si dhe ekspozimi i vazhdueshëm nё ambiente tё zhurmshme.
Shkaqet më të zakonshme të dëmtimit apo humbjes së dëgjimit tek fëmijët, të cilat janë të parandalueshme e të trajtueshme — si infeksionet akute dhe kronike të veshit, grumbullimit të dyllit në vesh, dëmtimet traumatike të kokës dhe veshit — janë ende shumë të përhapura tek fëmijët. Në shumë raste, humbja e dëgjimit fillon në mënyrë të padukshme dhe përkeqësohet gradualisht me kalimin e kohës. Nëse nuk kapet dhe nuk trajtohet, kjo nuk ndikon vetëm në aftësinë e fëmijës për të dëgjuar, por prek ndjeshëm zhvillimin e të folurit, gjuhës, aftësive njohëse dhe sociale.
Këtë vit, fushata në Ditën Botërore të Dëgjimit është e përqendruar në rolin e komuniteteve dhe shkollave si dy nga pikat e kontaktit më të natyrshme për kujdesin ndaj dëgjimit të fëmijëve.
Fokusi kryesor i përkujdesjes ndaj fëmijëve në këtë ditë përqendrohet në:
🛡️ Parandalimin e humbjes së dëgjimit, sidomos kur kjo mund të shmanget me kujdes të thjeshtë: mbrojtjen e fëmijës nga zhurmat e larta, si dhe trajtim të infeksioneve të përsëritura të veshit.
🔍 Kapjen dhe zbulimin e hershëm të çdo problematike me veshin ose dëgjimin e tyre, në mënyrë që të marrin ndihmën e duhur sa më shpejt.
👩⚕️ Kujdesin mjekësor të specializuar për ata që shfaqin shenja vështirësie në dëgjim, duke i drejtuar tek mjeku ORL ose Pediatër për vlerësim dhe trajtim.
Këto hapa janë thelbësorë për të mbrojtur zhvillimin, të folurin, performancën në shkollë dhe mirëqenien e çdo fëmije.
Në këtë Ditë botërore, Instituti i Shëndetit Publik iu bën thirrje prindërve, komunitetit të mësuesve dhe kujdestarëve të fëmijëve që të veprojnë menjëherë, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa për shkak të problemeve të veshit ose dëgjimit.
Të veprojmë së bashku për kujdesin ndaj dëgjimit për çdo fëmijë!