29 TETOR- DITA BOTËRORE E INSULTEVE
Çdo vit në 29 Tetor organizohet Dita Botërore e Insulteve
Kjo ditë shihet si një mundësi për të komunikuar, për të rritur ndërgjegjësimin më të mirë të publikut për natyrën serioze dhe shkallën e lartë të goditjes në tru, për faktorët dhe mënyrat se si mund ta zvogëlojmë rrezikun.
Është gjithashtu një mundësi për të advokuar për veprime nga vendimmarrësit në nivel global, rajonal dhe kombëtar që janë thelbësore për të përmirësuar parandalimin e goditjes në tru, aksesin në trajtimin akut dhe mbështetjen për të mbijetuarit dhe kujdestarët.
Nëpërmjet krijimit të një platforme globale, në Ditën Botërore të Insulteve përforcohen zërat tanë individualë dhe rritet numri i njerëzve në zhvillimin e bisedave rreth trajtimit të kësaj çështjeje madhore dhe mbështetjes për parandalimin.
Për vitin 2021 dhe 2022, fushata do të fokusohet në rritjen e ndërgjegjësimit për shenjat e goditjes në tru, nevojën për qasje në kohë dhe për një trajtim sa më cilësor.
Organizata Botërore e Infarktit deklaron se një në katër të rritur do të përjetojnë një goditje në tru gjatë jetës së tyre – kjo është arsyeja pse kjo Ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbarëglobal. Me fjalë të thjeshta, një goditje në tru ndodh kur furnizimi me gjak drejt tij ndërpritet, duke rezultuar në dëmtim të përkohshëm ose të përhershëm të qelizave të këtij organi. Dita Botërore e Insulteve përforcon idenë se goditja në tru është e parandalueshme. Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për të zvogëluar shanset për të marrë një goditje në tru është të bëhemi fizikisht aktivë, të ushtrohemi rregullisht dhe të hamë në mënyrë të shëndetshme, për të sfiduar statistikat një në katër. Goditja në tru është shkaku numër një i paaftësisë dhe arsyeja e dytë më e madhe për vdekjen e njerëzve nga një sëmundje.
Tema e Ditës Botërore të Goditjes në Tru 2022: “Kohë e Çmuar” vjen si vijim i fushatës së vitit të kaluar 2021- “Minutat mund të shpëtojnë jetë”.
Synimi i kësaj teme është inkurajimi dhe edukimi i njerëzve që të kuptojnë rëndësinë e shenjave dhe simptomave të një insulti dhe të marrin një diagnozë të hershme për të parandaluar komplikimet. Tema gjithashtu u bën thirrje organizatave dhe komuniteteve të tjera që të krijojnë mundësi për viktimat e insulteve që të kenë akses të shpejtë në trajtimin e goditjes në tru.
ÇFARË ËSHTË INSULTI OSE GODITJA NË TRU?
Insulti (ose goditja në tru) ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e infarktit. Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur infarkti i trurit është i patrajtuar.
PSE DUHET PARANDALUAR INSULTI?
-90% e të gjitha insulteve janë të lidhura me 10 faktorët kryesorë të rrezikut.
-1 në 6 njerëz është në rrezik për t’u prekur nga një insult gjatë jetës.
-Të gjithë kemi arsye të forta për të parandaluar një insult.
-Insulti është një shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën.
-80 milionë njerëz në botë kanë pësuar një insult.
-50 milionë të mbijetuar nga insulti jetojnë me një formë të paaftësisë së përhershme. Nëse keni pasur një goditje ose kujdeseni për dikë që ka, një gjë është e sigurt – nuk jeni vetëm! Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar të ngriheni sërish mbas insultit.
-Për shumë të tjerë, jeta pas një insulti nuk do të jetë e njëjtë, por me kujdesin dhe mbështetjen e duhur është ende e mundur.
Në Ditën Botërore të Insulteve ne duam të përqendrojmë vëmendjen e botës në vendosmërinë e të prekurve nga sëmundja për të vazhduar udhëtimin e rimëkëmbjes.
SI TA ULNI RREZIKUN E INSULTIT?
A e dini se 90% e rasteve të insultit janë të lidhura me 10 rreziqe të shmangshme? Nëse keni diabet, probleme të zemrës ose histori familjare, bisedoni me mjekun tuaj rreth rrezikut të insultit dhe trajtimeve parandaluese. Nё vijim po rendisim hapat që mund të ndjekë secili për të zvogëluar mundësitë dhe rrezikun e insultit…
- Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.
- Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht.
- Mbani një dietë të shëndetshme të pasur me fruta, perime, me pak kripё, për të patur një shëndet sa mё tё mirё dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut.
- Ulni kolesterolin tuaj
- Ruani një peshë konstante.
- Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit.
- Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë ёshtё pёr shёndetin tuaj.
- Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru.
- Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun tuaj.
- Njihuni me faktorët e rrezikut si presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë në gjak