Çdo vit, më shumë se një milion njerëz humbin jetën për shkak të hepatitit – dhe numri i vdekjeve është në rritje. Por pse?

Sot, ne kemi në dispozicion teste të shpejta dhe të sakta, trajtime efektive dhe të përballueshme, si dhe një vaksinë të provuar, e cila mund të parandalojë deri në 95% të rasteve të hepatitit B tek të porsalindurit.

Megjithatë, mungesa e ndërgjegjësimit, keqinformimi, mitet dhe stigmatizimi vazhdojnë të pengojnë njerëzit që të kenë akses në shërbimet për hepatitin – dhe shpeshherë sjellin mungesë veprimi edhe nga vendimmarrësit.

Le t’i thyejmë këto barriera!

Në Ditën Botërore të Hepatiteve, le të thyejmë barrierat që na ndajnë nga një botë pa hepatit. Fushata është një kujtesë se duhet të veprojmë tani për të zgjeruar aksesin, për të integruar kujdesin dhe për t’i dhënë fund hepatitit si një problem i shëndetit publik deri në vitin 2030.
Qëllimet tona janë:

  • Që çdo njeri të ketë njohuritë dhe informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të
    informuara mbi testimin, trajtimin dhe vaksinimin kundër hepatitit.
  • Që vendimmarrësit të bëhen një zë i fortë për këtë kauzë dhe të sigurojnë burimet e
    nevojshme për përmirësimin e jetës së komuniteteve të prekura.
  • Të eliminojmë stigmën ndaj personave që jetojnë me hepatit – dhe të mos lemë asnjë
    “mbrapa”.
  • Të kuptohet qartë se eliminimi i hepatitit është i mundur dhe i arritshëm, nëse të gjithë
    veprojmë së bashku.

Të veprojmë tani. Mësoni faktet, Informohuni.

  • Në botë, pas COVID-19, Hepatiti është virusi më vdekjeprurës.
  • 1.3 milion njerëz kanë vdekur nga hepatiti kronik B dhe C në 2022.
  • Çdo vit regjistrohen më shumë se 2 milion raste të reja me hepatit.
  • Mbi 304 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me hepatitin kronik B dhe C në 2022.
  • Hepatiti është shkaku kryesor i kancerit të mëlçisë.
  • Vetëm 45% e të porsalindurve u vaksinuan kundër hepatitit brenda 24 orëve të para të
    lindjes.
  •  Ne kemi gjithçka që na nevojitet për ta eliminuar hepatitin deri në vitin 2030 – por bota po
    shkon në drejtimin e gabuar.

Mesazhet kyçe

Hepatiti është një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të mëlçisë – dhe një vrasës global në rritje.

  •  Hepatiti viral kronik shkakton 1.3 milion vdekje çdo vit, kryesisht nga kanceri i mëlçisë
    dhe cirroza. Kjo përkthehet në 3,500 vdekje çdo ditë, po aq sa tuberkulozi.
    Hepatiti B dhe C përhapen në heshtje – me 8,000 infeksione të reja çdo ditë. Edhe pse i
    parandalueshëm dhe i trajtueshëm, barra e sëmundjes po rritet, veçanërisht në rajonet me
    akses të kufizuar në kujdes shëndetësor.

Njohja e gjendjes tënde është hapi i parë për të ndalur kancerin e mëlçisë.

  • Shumica e njerëzve që jetojnë me hepatit nuk e dinë që janë të infektuar. Diagnostikimi i
    hershëm është hapi i parë për të marrë trajtimin që shpëton jetë dhe për të parandaluar
    kancerin. Testimi, veçanërisht për grupet me rrezik të lartë ose që jetojnë në zona
    endemike, është thelbësor për eliminimin e hepatitit.

Ne mund të parandalojmë 2.8 milion vdekje deri në vitin 2030 – por vetëm nëse veprojmë tani.

  • Eliminimi i hepatitit është i mundur. Kemi vaksina, trajtime kurative dhe mjete të provuara
    për të ndalur përhapjen. Por shumica e rasteve diagnostikohen shumë vonë. Përparimi
    kërkon angazhim politik, investime të zgjuara dhe sisteme shëndetësore që integrojnë
    shërbimet për hepatitin në kujdesin parësor. Investimi në diagnostikim në kohë dhe kujdes
    të integruar e të përqendruar te pacienti shpëton jetë dhe ndalon kancerin e mëlçisë përpara
    se të shfaqet.

Le të veprojmë sot për një të ardhme pa hepatit!

Për Popullatën e përgjithshme:

  • Testohuni për hepatitin B dhe C.
  • Sigurohuni që të porsalindurit të vaksinohen kundër hepatitit B brenda 24 orëve nga lindja.
  • Mësoni faktet dhe flisni me profesionistët e kujdesit shëndetësor për testimin dhe trajtimin
    e hershëm.
  • Ndihmoni në luftimin e stigmës duke shpërndarë informacion të saktë dhe të bazuar në
    fakte.