26 shtator 2025

Dita Botërore e Kontracepsionit

Dita Botërore e Kontracepsionit mbahet çdo vit më 26 shtator dhe synon të rrisë ndërgjegjesimin për të gjitha metodat kontraceptive të disponueshme dhe t’u mundësojë të rinjve të bëjnë zgjedhje duke u informuar  për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.

Dita Botërore e Kontracepsionit u shënua për herë të parë më 26 shtator të vitit 2007 nga dhjetë organizata ndërkombëtare të planifikimit familjar për të rritur ndërgjegjësimin për metodat kontraceptive dhe për t’u mundësuar çifteve të marrin një vendim në lidhje me krijimin e familjes, në mënyrë që çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar. Kjo ditë promovon planifikimin familjar dhe metodat kontraceptive që janë të sigurta dhe të preferuara.

Tema e Ditës Botërore të Kontracepsionit të këtij viti është “Të Thyejmë Barriera, Të Ndërtojmë Ura Duke Krijuar Qasje Të Sigurta në Metodat  Kontraceptive”, kjo ditë vendos në qendër të vëmendjes të drejtën e individëve për të patur akses në metodat kontraceptive. Kjo qasje është thelbësore për shëndetin, barazinë dhe vetëvendosjen. Por për miliona njerëz në mbarë botën – veçanërisht gra dhe vajza – barriera si varfëria, racizmi dhe mungesa e edukimit vazhdojnë ta pengojnë këtë të drejtë. Është koha të veprojmë, Të thyejmë barriera, Të ndërtojmë ura, Të sigurojmë qasje të barabartë për të gjithë. Në këtë ditë është thelbësore të njihet rëndësia e ofrimit të një sërë opsionesh kontraceptive për individët, duke i lejuar ata të marrin vendimet e duhura që përputhen me rrethanat dhe aspiratat e tyre unike.