Kjo ditë është caktuar nga Kombet e Bashkuara për t’u kujtuar vendeve anëtare të OKB-së që të ndërmarrin masa për parandalimin e prodhimit, tregtimit, trafikimit ilegal, përdorimit dhe abuzimit të drogave në vendet respektive, si dhe ofrimin e ndërhyrjeve trajtuese dhe përkujdesëse të bazuara në evidenca dhe në respektim të të drejtave të njeriut.

Fushata ndërgjegjësuese këtë vit ka si temë:

Në fillim dëgjoni!

Të dëgjosh fëmijët dhe të rinjtë është hapi i parë drejt zhvillimit të tyre të shëndetshëm dhe të sigurt

Kjo fushatë ka për qëllim të ndërgjegjësojë:

  • Ligjvënësit
  • Prindërit
  • Mësuesit
  • Punonjësit e promocionit shëndetësor
  • Punonjësit e shëndetit

Duke dëgjuar me ndjeshmëri dhe empati, ne mund të ndikojmë pozitivisht te fëmijët dhe sjelljet e tyre të rrezikshme.

Abuzimi ndaj substancave i referohet përdorimit të dëmshëm dhe të rrezikshëm të substancave psikoaktive, përfshirë alkoolin dhe drogat ilegale. Përdorimi i vazhdueshëm i substancave psikoaktive mund të çojë në sindromën e varësisë, e cila është një gjendje fizike me një sërë shenjash fizike, mendore dhe të sjelljes, të cilat manifestohen gjatë përdorimit të substancave dhe në mungesë të substancës në organizëm (sindroma e tërheqjes). Substancat ndikojnë në gjithë organizmin por, kryesisht ato ndikojnë në sistemin nervor qendror që është i përbërë nga truri dhe nervat e shtyllës kurrizore. Substancat psikoaktive ndërveprojnë me neuronet e trurit duke rritur ose minimizuar ndërveprimin e tyre. Ndryshimi i funksionimit normal të neuroneve në tru, çon në ndryshimin e perceptimeve, mendimeve, emocioneve, sjelljes, por edhe të një sërë funksionesh të tjera të organizmit si: orientimi në hapësirë dhe kohë, lëvizshmëria, frymëmarrja, rrahjet e zemrës, presioni i gjakut, temperatura e trupit, perceptimet shqisore, sistemi imunitar, etj.

Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i përdoruesve të substancave psikoaktive ilegale në botë gjatë vitit 2008 ishte rreth 155-250 milionë njerëz, pra 5.7 % e popullsisë së përgjithshme të grup-moshës 15-64 vjeç. Substanca më e përdorur në gjithë globin është kanabis me 129-190 milionë njerëz që e kanë përdorur, ndjekur nga substanca të tjera si amfetaminat, kokaina dhe opiodet (heroina, morfina, kodeina, benzodiazepinat).

Parandalimi dhe trajtimi është i mundur. Njerëzit që kanë problem për shkak të abuzimit dhe varësisë nga substancat psikoaktive duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes, dhe bashkë me të të shqyrtojnë mundësitë e dhënies së ndihmës profesionale.