24 Mars 2026 – Dita Botërore e Tuberkulozit
Dita Botërore e Tuberkulozit, e cila shënohet çdo vit më 24 mars, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi ndikimin e rëndë shëndetësor, social dhe ekonomik që shkakton kjo sëmundje, si edhe forcimin e përpjekjeve globale për t’i dhënë fund epidemisë së TB‑së. Nën moton e vitit 2026-të, “Po! Ne mund t’i japim fund tuberkulozit!”, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje qeverive, komuniteteve, shoqërisë civile dhe sektorit privat të bashkojnë forcat për të eliminuar këtë sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse. Qasja e re e promovuar nga OBSH-ja nxit dialogun, bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjithë sektorëve, duke kontribuar jo vetëm në kontrollin e TB‑së, por edhe në objektiva më të gjera si reduktimi i varfërisë, mbulimi shëndetësor universal dhe mbështetja sociale.
Pse është e rëndësishme kjo ditë?
Tuberkulozi mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik në botë. Vetëm në vitin 2024, 1.23 milionë njerëz humbën jetën nga TB-ja, përfshirë 150 mijë persona që jetonin me HIV. TB-ja vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjes nga “një agjent i vetëm infektiv” dhe një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekjeve në nivel global. Po në vitin 2024, 10.7 milionë njerëz u sëmurën me TB, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë në të gjitha vendet dhe grup-moshat.
Një shqetësim i madh mbetet tuberkulozi multirezistent ndaj barnave (MDR‑TB), i cili përbën një kërcënim serioz për sigurinë shëndetësore. Vetëm 2 nga 5 persona me MDR‑TB arritën të marrin trajtim në vitin 2024. Megjithatë, OBSH raporton se falë përpjekjeve globale, që nga viti 2000 janë shpëtuar rreth 83 milionë jetë.
Eliminimi i TB‑së deri në vitin 2030-të është një nga objektivat madhorë të shëndetit publik global.
Çfarë është tuberkulozi dhe si përhapet?
Tuberkulozi shkaktohet nga bakteri Mycobacterium tuberculosis, i cili zakonisht prek mushkëritë, por mund të dëmtojë edhe organe të tjera si veshkat, trurin, shtyllën kurrizore apo lëkurën. TB-ja përhapet përmes ajrit kur një person i sëmurë kollitet, teshtin ose pështyn. Vlerësohet se një e katërta e popullsisë së botës është e infektuar me bakteret e TB‑së, por shumica kanë infeksion latent dhe nuk janë ngjitës.
Rreth 5–10% e personave të infektuar do të zhvillojnë sëmundjen gjatë jetës së tyre, sidomos ata me sistem imunitar të dobësuar, si personat me HIV, të kequshqyerit, diabetikët dhe duhanpirësit. Një person me TB aktiv në mushkëri mund të infektojë 10–15 persona të tjerë brenda një viti, nëse nuk trajtohet.
Kush është më i rrezikuar?
Edhe pse TB-ja prek të gjitha grup-moshat, rreth 90% e rasteve çdo vit janë tek të rriturit në moshë produktive. Në vitin 2024, nga 10.7 milionë rastet e reja në mbarë botën:
- 5.8 milionë ishin burra
- 3.7 milionë gra
- 1.2 milionë fëmijë dhe adoleshentë
Faktorët që rrisin rrezikun e sëmundjes përfshijnë:
- Diabetin
- Infeksionin HIV
- Nënushqyerjen
- Duhanpirjen dhe përdorimin e alkoolit
Në vitin 2024, rastet e reja të TB‑së i atribuoheshin kryesisht nënushqyerjes, e ndjekur nga përdorimi i alkoolit, duhanpirja, HIV dhe diabeti.
Si shfaqet TB? Simptomat dhe diagnoza
Simptomat e TB‑së mund të jenë të lehta për muaj të tërë, duke bërë që sëmundja të përhapet pa u vënë re. Simptomat më të zakonshme përfshijnë:
- Kollë të zgjatur
- Gjak në gëlbazë
- Dhimbje gjoksi
- Lodhje dhe dobësi
- Humbje të pashpjegueshme në peshë
- Temperaturë
- Djersitje gjatë natës
TB-ja zakonisht prek mushkëritë, por mund të përfshijë edhe organe të tjera, duke ndryshuar edhe shenjat klinike. Diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të parandaluar përhapjen dhe për të nisur trajtimin në kohë.
Trajtimi i tuberkulozit
TB-ja është plotësisht e shërueshme. Trajtimi standard zgjat 4–6 muaj dhe përfshin një kombinim të katër medikamenteve antimikrobiale, të cilat merren çdo ditë nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Ndërprerja e trajtimit para kohe është e rrezikshme, sepse mund të çojë në rezistencë ndaj barnave, duke e bërë sëmundjen më të vështirë për t’u kuruar.
Për format rezistente ndaj barnave, OBSH-ja ka zhvilluar udhërrëfyes të posaçëm, të cilët janë përshtatur dhe zbatohen edhe në Shqipëri me mbështetjen e Zyrës Lokale të OBSH‑së.
TB dhe HIV
Personat që jetojnë me HIV kanë 12 herë më shumë gjasa të sëmuren me TB. Në vitin 2024, 150 mijë persona humbën jetën nga TB-ja e lidhur me HIV-in. Kombinimi HIV‑TB është veçanërisht i rrezikshëm, pasi secila sëmundje përshpejton përparimin e tjetrës.
Si të parandalojmë TB‑në?
- Kërkoni ndihmë mjekësore tek Mjeku i Familjes nëse keni simptoma të dyshimta.
- Kërkoni ndihmën mjekësore për të kryer testin për TB nëse jeni në rrezik të shtuar ( si p.sh. nëse keni HIV, jeni në kontakt me persona apo të afërm që kanë TB në familje, ose pranë vendit tuaj të punës).
- Ndiqni me korrektesë trajtimin parandalues ose kurues.
- Praktikoni higjienë të mirë dhe përdorni maskë nëse jeni të sëmurë.
- Forconi sistemin imunitar me ushqyerje të shëndetshme dhe shmangni duhanin dhe alkoolin.