Gojë e shëndetshme, jetë më e lumtur!
Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, e shpallur nga Federata Dentare Botërore (FDI), organizohet çdo vit më 20 mars dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin global për rëndësinë e shëndetit oral.
DITA është kthyer në një moment të rëndësishëm global për të reflektuar mbi shëndetin e gojës dhe ndikimin në jetën tonë të përditshme.
Shëndeti i gojës është një pjesë thelbësore e shëndetit të përgjithshëm. Goja është “porta hyrëse” e trupit dhe çdo problem në të mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës. Problemet orale mund të shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në të ngrënë, në të folur dhe të fjetur, ulje të vetëbesimit dhe izolim social. Përveç kësaj, sëmundjet orale lidhen me sëmundje të tjera kronike, si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe infeksione të ndryshme. Kariesi dentar (prishja e dhëmbëve), për shembull, është sëmundja jo e transmetueshme më e përhapur në botë dhe prek miliarda njerëz.
Fushata trevjeçare e FDI-së për periudhën 2024–2026 mbart mesazhin kryesor “Gojë e shëndetshme, jetë më e lumtur”, duke theksuar lidhjen e fortë midis shëndetit oral dhe mirëqenies së përgjithshme. Në vitin 2024, fokusi ishte te lidhja mes gojës dhe trupit, duke treguar se shëndeti oral ndikon drejtpërdrejt në shëndetin fizik. Në vitin 2025, vëmendja u zhvendos te lidhja gojë–mendje, duke theksuar se problemet orale ndikojnë në vetëbesim, humor dhe shëndet mendor. Ndërsa në vitin 2026, fushata përqendrohet te shëndeti i gojës gjatë gjithë jetës — nga fëmijëria deri në moshën e tretë — duke nënvizuar se kujdesi i vazhdueshëm oral është thelbësor për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur.
Këto ndikime janë veçanërisht të rëndësishme për fëmijët, të moshuarit dhe grupet vulnerabël, të cilët shpesh kanë akses të kufizuar në shërbime dentare.
Megjithatë, lajmi i mirë është se shumica e sëmundjeve orale janë plotësisht të parandalueshme. Kujdesi i rregullt: larja e dhëmbëve dy herë në ditë me pastë që përmban fluor, kufizimi i sheqerit, shmangia e pijeve të ëmbla dhe të gazuara, moskonsumimi i duhanit, reduktimi i alkoolit, përdorimi i fillit dentar dhe vizitat e rregullta te dentisti mund të parandalojnë shumicën e problemeve dentare dhe të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të tyre, kur trajtimi është më i thjeshtë dhe më efektiv.
Dita Botërore e Shëndetit të Gojës është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi zakonet tona të përditshme dhe për të ndërmarrë hapa të thjeshtë, por të rëndësishëm për çështjen në fjalë.
Me këtë rast në mbarë botën organizohen aktivitete edukative, kontrolle falas dentare, fushata ndërgjegjësuese dhe ngjarje komunitare që synojnë të promovojnë praktikat më të mira të kujdesit oral dhe të rrisin aksesin në shërbime dentare cilësore.
Çdokush mund të kontribuojë në këtë ditë me zbatimin e një higjiene të mirë orale dhe ndarjen e informacionit me të tjerët. Po ashtu, shkollat dhe institucionet arsimore dhe edukative mund të luajnë një rol të madh duke organizuar aktivitete që iu mësojnë fëmijëve rëndësinë e larjes së dhëmbëve, ushqyerjes së shëndetshme dhe vizitave të rregullta dentare.
Në thelb, Dita Botërore e Shëndetit të Gojës na kujton se kujdesi për gojën nuk është vetëm çështje estetike, por një pjesë e pandashme e shëndetit dhe mirëqenies sonë. Një gojë e shëndetshme është investim për një jetë më të mirë, më të lumtur dhe të sigurt.