Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve

19 Nëntor 2025

Dhuna ndaj fëmijëve nuk njeh kufij dhe prek të gjitha shtresat e shoqërisë. Shfaqet në shumë forma: mund të jetë fizike, emocionale apo seksuale. Mund të ndodhë në shtëpi, në shkollë apo në hapësirën online. Për shumë vajza dhe djem, dhuna shpesh vjen nga personat, të cilëve iu besojnë më shumë.

Fëmijët që kanë përjetuar abuzim të rëndë përballen me pasoja që i ndjekin gjatë gjithë jetës. Ata shpesh hasin vështirësi në të nxënë, vetëvlerësim të ulët dhe depresion që mund të çojë në vetëlëndim. Në fëmijërinë e hershme, stresi toksik që shoqëron dhunën mund të dëmtojë në mënyrë afatgjatë zhvillimin e trurit dhe sistemin nervor.

Megjithatë, shumë forma të dhunës ndërpersonale mbeten të fshehura nga sytë e publikut.

Çfarë është dhuna fizike?

Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës, dhuna fizike përfshin: torturën fizike, ndëshkimin fizik mizor dhe çnjerëzor, ngacmimin fizik dhe ndëshkimin trupor. Ajo ndodh kur dikush përdor një objekt apo pjesë të trupit për të dëmtuar ose kontrolluar fizikisht një fëmijë. Goditjet, shtyrjet, grushtet, shkelmat, mbytjet apo djegiet janë të gjitha forma të dhunës fizike. Në format e saj më ekstreme, kjo dhunë mund të çojë në trauma të trurit, paaftësi të përhershme apo edhe vdekje.

Ky abuzim mund të kryhet nga kushdo, por shpesh autorë janë të rritur që mbajnë pozita autoriteti – si kujdestarë, prindër apo mësues.

Fëmijët me aftësi të kufizuara janë veçanërisht të pambrojtur ndaj dhunës fizike.  

Përjetimi i dhunës fizike në fëmijëri nuk lë vetëm pasoja trupore. Ai lidhet me depresionin, ankthin, çrregullimin e stresit post-traumatik, vetëlëndimin dhe sjelljet vetëvrasëse.

Fëmijët që përjetojnë dhunë fizike shpesh kanë vështirësi në shkollë dhe rrezik më të lartë për varfëri. Disa, kur rriten, mund të përsërisin modelet e dhunës që kanë përjetuar.

Çfarë është dhuna emocionale?

Dhuna emocionale (e njohur gjithashtu si abuzim psikologjik) mund të ndodhë në shumë forma. Kërcënimi, ofendimi, refuzimi, shpërfillja, tallja apo frikësimi i një fëmije janë të gjitha forma të dhunës emocionale. Po ashtu, edhe neglizhimi i nevojave arsimore të fëmijës, izolimi i tij nga të tjerët apo mungesa e reagimit emocional nga kujdestarët përbëjnë akte të tilla dhune.

Shumë fëmijë që përjetojnë dhunë fizike përballen njëkohësisht edhe me dhunë emocionale, shpesh nga personat më të afërt me ta – prindërit ose kujdestarët.

Megjithëse dhuna emocionale mund të jetë më e vështirë për t’u vërejtur, si nga viktima ashtu edhe nga të tjerët, pasojat e saj janë po aq të rënda sa ato të dhunës fizike.

Studime të ndryshme tregojnë se pasojat e dhunës emocionale ndryshojnë sipas formës së saj. Fëmijët që terrorizohen nga kujdestarët e tyre shpesh përballen në të ardhmen me ankth, probleme me gjumin dhe vështirësi të tjera psikologjike, ndërsa ata që shpërfillen ose poshtërohen mund të zhvillojnë çrregullime të personalitetit, si p.sh. çrregullimin të personalitetit.

Sërish, asnjë nga këto pasoja nuk është e pashmangshme. Me mbështetje të duhur psikologjike dhe sociale, fëmijët mund të shërohen dhe të rriten të fortë, të sigurt dhe të aftë për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme.

Çfarë është dhuna seksuale?

Dhuna seksuale, që shpesh shoqërohet me dhunë fizike ose emocionale, përfshin një gamë të gjerë sjelljesh – nga kontakti fizik i padëshiruar deri te ekspozimi ndaj gjuhës apo imazheve me përmbajtje seksuale.

Përdhunimi është forma më e rëndë e dhunës seksuale, e cila mund të ndodhë nga një person i vetëm apo nga një grup, madje edhe si mjet ndëshkimi apo armë në kohë lufte.

Përjetimi i dhunës seksuale në fëmijëri ndikon negativisht në çdo aspekt të zhvillimit të një fëmije.

Në nivel fizik, mund të shkaktojë dëmtime serioze, shtatzëni të parakohshme, infektim me HIV ose sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.

Nga ana psikologjike, pasojat përfshijnë depresion, ankth, çrregullime paniku, vetëlëndim, çrregullime të të ngrënit dhe mendime vetëvrasëse.
Shpesh, fëmijët përpiqen të përballojnë traumën duke ikur nga shtëpia, braktisur shkollën, përdorur alkool apo drogë etj.

Disa arrijnë moshën e rritur pa marrë kurrë ndihmën e nevojshme për të folur ose për t’u shëruar.
Dhuna seksuale shpesh mbetet e fshehur për shkak të turpit dhe stigmës, duke e bërë heshtjen një barrë të rëndë për viktimën.

Mbrojtja e fëmijëve në mjedisin online

Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual përmes teknologjisë përbëjnë një nga kërcënimet më të fshehta me të cilat përballen fëmijët në internet. Inteligjenca artificiale (IA) po ndryshon mënyrën se si ata ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve. Fëmijët kalojnë sot më shumë kohë në botën dixhitale se kurrë më parë.

E padukshme, por e fuqishme, IA ndikon në mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë me përmbajtjen online – u sugjeron video, artikuj, muzikë apo kontakte – duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjet e tyre dixhitale. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq e lehtë për abuzuesit të kontaktojnë, manipulojnë apo shantazhojnë fëmijë online.

Në disa raste, abuzimi transmetohet drejtpërdrejt (livestream) – autorët mund të udhëzojnë abuzimin ndaj fëmijëve në vende të tjera, pa lëvizur nga shtëpia e tyre.

Forma të tjera të dhunës po përhapen gjerësisht, si dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe bullizmi online. Në të njëjtën kohë, urrejtja dhe diskriminimi digjital janë në rritje, duke shtuar rrezikun për vetëdëmtim dhe mendime vetëvrasëse tek fëmijët që po rriten në epokën digjitale.