18 TETOR 2025
DITA BOTËRORE E MENOPAUZËS
Dita Botërore e Menopauzës organizohet çdo vit më 18 tetor, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin e grave në moshën e mesme dhe pas saj.
Në këtë ditë, në mbarë botën zhvillohen aktivitete informuese dhe edukative për të ndihmuar gratë të kuptojnë më mirë menopauzën, ndikimin e saj në trup dhe mendje, si dhe mënyrat më të mira për ta menaxhuar atë. Simptomat e menopauzës, si: nxehtësia e papritur, luhatjet e humorit, pagjumësia apo lodhja, mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së përditshme. Për më tepër, kjo fazë mund të rrisë rrezikun për sëmundje kronike të lidhura me moshën, përfshirë sëmundjet e zemrës, osteoporozën dhe diabetin.
Tema e këtij viti është: “Rëndësia e stilit të jetesës në shëndetin gjatë menopauzës!”
Tema fokusohet në:
– Ushqyerjen e ekuilibruar
– Aktivitetin fizik të rregullt
– Gjumin cilësor
– Shëndetin mendor dhe emocional
– Lidhjet sociale dhe marrëdhëniet mbështetëse
– Shmangien e alkoolit, duhanit dhe substancave të dëmshme
MENOPAUZA
Çfarë është menopauza?
Menopauza është periudha në jetën e një femre kur menstruacionet (periodat, zakonet) ndalojnë, si rezultat i pakësimit gradual të prodhimit të hormoneve femërore nga vezoret. Me rënien e nivelit të hormoneve, menstruacionet fillojnë të bëhen të parregullta derisa ndalojnë fare.
Çfarë shenjash ka menopauza?
Disa femra nuk kanë fare shenja ose kanë shqetësime të vogla, por disa të tjera kanë shqetësime, madje edhe të rënda deri në paaftësi. Shenjat mund të vërehen disa muaj ose vite para menopauzës dhe mund të vazhdojnë edhe disa vjet pas saj. Disa nga shqetësimet e femrave në këtë periudhë janë: menstruacione të çrregullta, afshe të nxehta, çrregullime të gjumit, probleme vaginale dhe urinare, ndryshime të humorit dhe nervozizëm, ndryshime në jetën seksuale, osteoporozë, sëmundje kardiovaskulare, shtim në peshë dhe ndryshime në pamje, si dhe probleme me përqendrimin apo me kujtesën. Megjithëse menopauza është unike për secilën grua, ndryshimet dhe shqetësimet e mësipërme që ndodhin gjatë kësaj faze të jetës duhet të njihen dhe të vlerësohen nga të gjitha gratë.
Si kuptohet që një femër është në menopauzë?
Zakonisht menopauza konfirmohet kur një femër nuk ka pasur menstruacione për 12 muaj me radhë. Për shumicën e femrave, përcaktimi i menopauzës bëhet bazuar në përshkrimin që subjekti i bën shenjave të saj, si dhe përfundimit të menstruacioneve. Por në disa raste, këto shenja nuk janë të mjaftueshme dhe një test gjaku që mat nivelet e hormoneve mund të rekomandohet për ta konfirmuar.
Si trajtohet menopauza?
Menopauza është një proces natyral dhe nuk mund të parandalohet. Megjithatë, ka mënyra që mund të minimizojnë ose edhe të parandalojnë efektet e pakëndshme anësore gjatë këtyre periudhave. Studimet tregojnë se ndryshimet në stilin e jetesës dhe disa ilaçe mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat e menopauzës, si dhe mund të përmirësojnë cilësinë e jetës së një femre. Trajtimi i menopauzës është në varësi të shenjave – përfshin terapi zëvendësuese hormonale dhe trajtime të tjera që lehtësojnë disa nga shqetësimet e sipërcituara.