Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në çdo sekondë që kalon bota rritet numerikisht me 2.6 njerëz; çka do të thotë se popullsia shtohet me 225. 000 njerëz në ditë ose afro 83 milionë në vit.
OKB -ja parashikon se numri i njerëzve në botë vitin e ardhshëm do të jetë mbi 7 miliardë, ndërsa deri më 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë.
Por krahas këtyre parashikimeve, askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasojash do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, teksa një gjë është e qartë:
Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese, siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë do të rritej pa masë.
Do të nevojitej të paktën edhe një planet tjetër si i yni për të furnizuar njerëzit. OKB-ja vendosi 11 korrikun si Ditën e Popullsisë së Botës për t’na kujtuar se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm “një tokë” për të gjithë.