Këshilla për të shmangur rreziqet e motit të nxehtë

Loading Events
Description

Këshilla për të shmangur rreziqet e motit të nxehtë

Me ardhjen e verës, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e motit të nxehtë, sidomos për sa i përket kategorive të njerëzve në nevojë, si të moshuarit dhe fëmijët. Ky institucion kërkon që të mbështeten rregullat e fushatës me këshilla parandaluese për të gjithë popullatën, sidomos për fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit.

Në këtë kuadër, për të moshuarit këshillohet që:

  • Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C.
  • Të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11-18.
  • Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta.
  • Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku.

Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë.

Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që:

  • Personi të vendoset në një vend të freskët.
  • T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë.
  • T’i jepet të pijë lëngje.
  • Të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës.

 Rregulla të arta për të nxehtët:

  • Mos dilni në orët e nxehta.
  • Vishni rroba të lehta.
  • Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.

Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit.

 Rekomandime për punonjësit e strukturave që kanë të shtruar të moshuar që kanë nevojë për ndihmë

Shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh janë:

  • Zbehja
  • Marramendja
  • Të vjellët
  • Pulsi i dobët
  • Temperatura e ngritur

Si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të shtruarve të moshuar.

Disa rregulla të cilat me siguri do të ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve:

  • Mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli.
  • Pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj.
  • Konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione.
  • Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta.
  • Freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C.
  • Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë kondicioner para se të lëvizni me të.
  • Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina.
  • Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25° C.
  • Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit.
  • Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C, dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur.

Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.

 

Për një verë të sigurt dhe të shëndetshme për fëmijët tanë

 

Çfarë duhet të dimë që dielli të mbetet një kënaqësi…

Në stinën e verës rriten temperaturat, rritet dëshira dhe mundësia për të përfituar nga të mirat e kësaj stine, por njëkohësisht rritet edhe rreziku për disa situata që ndikojnë në shëndetin tonë dhe të fëmijëve. Nëse përdoret me zgjuarsi, pra  ashtu siç duhet  dhe aq sa duhet, apo  nëse ekspozimi në diell është i ekuilibruar, Dielli nuk është armik i shëndetit. 

Të mirat e rrezeve të diellit

Të gjithë ne përfitojme nga dielli dhe i dimë të mirat e tij. Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur është i domosdoshëm për shëndetin. Vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV.

Rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim. Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundjeve të lëkurës si dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj.; kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell etj. 

Rreziqet e rrezeve ultravjollcë për fëmijët

Dielli përveç kënaqësisë që u jep fëmijëve të luajnë përjashta, të shkojnë në plazh etj., ka dhe rreziqet e tij për të cilat fëmijët nuk janë të mirinformuar. Është e nevojshme të përfitojmë nga dielli por edhe të mbrohemi prej tij. 

Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit jep dëmtime të menjëhershme në lëkurë si djegie, skuqje, dhe dëmtime të mëvonshme siç është zhvillimi i kancerit të lëkurës në moshë të rritur. 

Fëmijët janë më të ndjeshëm dhe më të ekspozuar se të rriturit. Ka shumë të dhëna dhe evidenca të forta që tregojnë se, ekspozimi ndaj rrezeve UV gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është një faktor rreziku për zhvillimin e kancerit të lëkurës në moshë më të rritur. Gjithashtu, është vlerësuar se ekspozimi më i madh ndaj rrezeve UV, për gjatë gjithë jetës, ndodh në fëmijëri deri në moshën 18 vjeç. Prandaj mbrojtja në fëmijëri dhe adoleshencë e lëkurës nga rrezet UV do të ulë në të ardhmen incidencën e kancerit të lëkurës.

Sot shumica e njerëzve mund të kenë njohuri për rreziqet e diellit për lëkurën dhe përdorin një krem mbrojtës. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe dëmtimet që shkakton dielli në sy.

Kur flasim për rrezet UV, kryesisht flasim për rrezet UVA dhe UVB. Këto rreze penetrojnë në sy në nivele të ndryshme dhe japin dëmtime të menjëhershme dhe të mëvonshme siç janë:

  • Konjuktiviti që shoqërohet me djegie ose skuqje të lehtë të syve, ndjenjën e hyrjes së diçkaje në sy, frikën nga drita, etj.
  • Keratito-konjuktiviti që shoqërohet me dhimbje të syve, sy që hapen me vështirësi, sikur janë plot me rërë, turbullim të shikimit, etj.

 ·Katarakti (perdja e syrit ). Sipas OBSH-së, rreth 20 % e tyre shkaktohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe janë shkaktari i parë i verbimit në botë. Edhe pse katarakti shtohet me moshën, ekspozimi në diell është faktori i zhvillimit dhe shpejtimit të tij.

Prandaj, mbrojtja që në fëmijëri dhe adoleshencë e syve nga rrezet ultravjollcë mund të ulë problemet shëndetësore që mund të kenë me sytë në moshë më të rritur.

 

Rreziqet nga temperaturat e larta të stinës

Temperaturat e larta në verë kanë ndikim negativ në organizmin e fëmijës. Fëmijët janë të ndjeshëm ndaj efekteve të këtyre temperaturave sepse metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e paktë, masa e trupit është e vogël, po ashtu edhe vëllimi i gjakut. Gjithashtu, ata mbështeten tek të tjerët për të rregulluar temperaturën e mjedisit të tyre apo dhe për të siguruar marrjen e lëngjeve të nevojshme. Çfarë shkakton vapa te fëmijët:

  • Irritim të lëkurës nga nxehtësia, puçrrat e vapës. Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, sidomos në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.
  • Çrregullime diarreike. Diarreja karakterizohet nga të dala të ujshme e të shpeshta të fëmijës (6-7 herë në ditë te foshnjat). Diarreja është më e shpeshtë te fëmijët nga 6-muajsh deri në 2 vjeç.
  • Të vjella. Diarreja mund të shoqërohet edhe me të vjella, e cila është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset apo bakteret. Infeksionet nga viruset apo bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta apo nga ushqimet e infektuara.
  • Herpes simplex është infeksion i lëkurës i shkaktuar nga virusi me të njëjtin emër, shfaqet në formën e plagës dhe kalon nga prindërit tek fëmija me anë të puthjes. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla rreth buzës dhe poshtë hundës, të cilat bashkohen dhe formojnë plagë. Fëmija duhet çuar te mjeku, dhe nuk duhet lejuar të prekë fytyrën.
  • Goditje nga dielli si pasoje e ekspozimit të fëmijës në rrezet shumë të forta të diellit. Fëmija djersin, humbet lëngjet dhe dehidrohet.

 

Si t’i mbrojmë fëmijët nga dielli

Foshnjat nga 0-6 muaj

  • Foshnjat nga 0-6 muaj nuk duhet të mbahen apo të ekspozohen në diell. Lëkura e tyre është shumë e ndjeshme nga dielli dhe ka pak melanomë, pigmenti që i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve, dhe që siguron një mbrojtje nga dielli. Prandaj, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të diellit.
  • Përdorni mburojat e lëvizshme në dritaren e makinës për të mbrojtur fëmijët nga rrezet që vijnë përmes dritares.
  • Shëtitini me karrocë herët në mëngjes përpara orës 10 dhe pas orës 17, duke përdorur mbrojtësen e diellit që kanë karrocat.
  • Vishini me rroba të lehta pambuku të cilat mbulojnë krahët dhe këmbët.
  • Zgjidhni një kapelë të gjerë që t’i mbrojë fëmijës fytyrën, qafën dhe veshët.

 

Foshnjat nga 6-12 muaj

Foshnjave apo bebeve në këtë moshë duhet t’u përdoret krem mbrojtës ndaj diellit

  • Mbrojtja është e njëjtë si te foshnjat e vogla, vetëm tani duhet të përdoret edhe kremi i diellit.
  • Përdoren kremra me faktor mbrojtës mbi 20, dhe lyhen pjesët e zbuluara të fëmijës.
  • Shumë e rëndësishme është që kremi t’i vihet foshnjës rreth 30 minuta para se të dalë jashtë, t’i rivihet prapë çdo dy orë, pas larjeve në det apo nëse është djersitur shumë.

 Fëmijët e vegjël 1 vjeç deri në 6 vjeç

  • Sigurohuni që fëmija të rrijë në hije nga ora 10-17. Kontrolloni mjedisin e jashtëm ku fëmija juaj luan për t’u siguruar që ka hije të mjaftueshme.
  • Sigurohuni që fëmija të jetë i veshur me rroba të lehta pambuku, të lyhet me krem mbrojtës me faktor mbrojtës mbi 20 që të jetë rezistentë ndaj ujit.
  • Fëmijët duhet të mbajnë kapelë dhe syze dielli. Kapelja duhet të jetë e gjerë që t’i mbrojë qafën, fytyrën dhe veshët.

Si të mbrohen fëmijët nga temperaturat e larta

  • Në stinën e nxehtë fëmija duhet veshur me rroba të lehta pambuku, po ashtu kur vihet në gjumë.
  • Fëmija duhet larë me ujë të vakët, dhe kur ka puçrra lëkura duhet tharë lehtësisht me peshqir.
  • Temperaturat e dhomës të mos jenë të larta dhe ajri të qarkullojë.

 

Për çrregullimet diarreike dhe ushqyerjen e fëmijëve

  • Respektimi i rregullave të pastërtisë, sidomos i larjes së duarve me ujë të bollshëm dhe sapun.
  • Fëmija duhet të pijë sa më shumë lëngje frutash, ujë natyral, supë zarzavatesh, pavarësisht nëse ka bark apo të vjella.
  • Ushqyerja me gji.
  • Përdorimi i ushqimeve të freskëta të lëngshme, të sapopërgatitura dhe jo të mbetura.
  • Përpunimi i mirë i ushqimit, gatimi i plotë.
  • Qëndrimi në ambiente të freskëta të shtëpisë, në temperaturë deri 25 gradë dhe me lagështi normale. 

 

Kini kujdes!

Mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj; përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat; u lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE; përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20, dhe në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50; u vishni rroba të gjera prej pambuku ose liri.

Informacion per vapen

Start Date - End Date

Jun 14, 2017 - Sep 14, 2017

Start Time - End Time

8:00 am - 5:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This