Disa këshilla për një dimër pa viruse

Loading Events
  • This event has passed.
Description

Disa këshilla për një dimër pa viruse

  • Gripi sezonal është një infeksion viral akut

Sëmundja e gripit shkaktohet nga viruse të gripit, të cilat mund të përhapen shumë shpejt në ambientet e mbyllura.

Gripi është një sëmundje virale që mund të shkakëtojë komplikacioni të rënda dhe vdekje sidomos tek personat me semundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit

megjithëse për shumicën e njerëzve është sëmundje kalimtare.

Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi ndaj tij.

Vaksinimi i përvitshëm është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në mbrojtjen e shëndetit individual dhe atë të komunitetit që na rrethon.

Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e  gripit qarkullojnë.

 

  • Fakte për gripin
  • Gripi mund të jetë një sëmundje serioze që mund të çojë në gjëndje të rëndë shëndetësore, me shtrime në spital dhe ndonjëherë  deri në vdekje.
  • Për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe vdekje.
  • Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Në raste më të rralla, një individ mund të infektohet duke prekur objekte të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ai  i kalon  në  gojën  apo  në hundën e tij me duart e infektuara.
  • Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm.

Kjo do të thotë që mund t’a transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë.

  • Individë të tjerë mund të jenë të infektuar me virusin e gripit por nuk kanë simptoma. Gjatë kësaj periudhe këta individë mund të transmetojnë virusin e gripit tek të tjerët.
  • Çdokush mund të sëmuret nga gripi dhe mund t’ia transmetojë kujtdo-edhe pa pasur ndonjë simptomë.
  • Gripi mund t’i ngjitet kujtdo, pavarësisht se sa i fortë mund të jetë sistemi imunitar.
  • Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun. Nëse keni vështirësi me frymëmarrjen, drejtohuni menjëherë tek mjeku.

 

  • Cilat janë shenjat e gripit?

Gripi gjithmonë karakterizohet nga këto shenja:

  • temperaturë e lartë
  • kollë
  • dhimbje fyti

Gjithashtu gripi mund të shoqërohet edhe me shenja të tjera si; lodhje fizike, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve dhe/ose dhimbje muskujsh.

Kujdes! Gripi nuk duhet të ngatërrohet me viroza të tjera stinore të ngjashme me të.

 

  • Fakte mbi vaksinën.

 

  • Çfarë përmban vaksina ndaj gripit?

Vaksina ndaj gripit përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë) të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit të gripit.

Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.

  • Kur duhet të vaksinohemi?

Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e  gripit qarkullojnë. Vaksina daj gripit duhet të kryhet çdo vit, kryesisht me fillimin e stinës së vjeshtës e deri në muajin Mars.

  • Pse duhet të vaksinohemi çdo vit ndaj gripit?

Vaksinimi i përvitshëm ndaj gripit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti i përftuar nga vaksina e kryer më parë, bie me kalimin e kohës.

  • Kush rekomandohet për të kryer vaksinën ndaj gripit?

Vaksina ndaj gripit  mund të kryhet nga çdo individ mbi 6 muaj.

Rekomandim i veçantë për kryerjen e kësaj vaksine përfshin këto grupe risku:

– Punonjësit shëndetësorë,

– Gratë shtatzëna,

– Të gjithë të moshuarit mbi 60 vjeç,

-Personat me sëmundje kronike dhe imunodeficience (si: sëmundje kardiovaskulare, obstruktive të mushkërive, kronike të veshkave, kronike të heparit, diabet, astma bronkiale, tumore/kancer),

– Personat obezë.

Gjithashtu vaksina ofrohet për kategori të caktuara sic janë forcat ushtarake.

 

  • Përse rekomandohet më shumë tek disa grupe?

Disa individë si, të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël si dhe individë të sëmurë për një kohë të gjatë me sëmundje kronike dhe/ose imunodeficencë kanë një risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione nga gripi, prandaj vaksinimi ndaj gripit rekomandohet më shumë tek ta.

Gjithashtu, punonjësit e kujdesit shëndetësor  të cilët nga profesioni kujdesen për individë të sëmurë ose/dhe të cilët kanë një risk të lartë për të zhvilluar komplikacione nga gripi, mund të bëhen shkak për transmetimin dhe infektimin e të tjerëve. Punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë  përgjegjësi për të mbrojtur pacientët e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme që ata të vaksinohen çdo vit, ndaj gripit.Vaksinimi ndaj gripit i punonjësve të kujdesit shëndetësorë, mbron pacientët, kolegët, familjet e tyre dhe vetë ata.

Vaksinimi ndaj gripit gjatë shtatzënisë (pavarësisht trimestrit të shtatzënisë) ndihmon në mbrojtjen e gruas dhe fetusit. Gjithashtu, kundërtrupat e krijuara tek nëna kalojnë tek fëmija dhe e mbrojnë foshnjën në muajt e parë të jetës.

  • Si vepron vaksina?

Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të gripit të cilët mendohet se do të qarkullojnë këtë sezon. Kundërtrupat krijohen në organizëm dy javë pas kryerjes së vaksinës. Kundërtrupat mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset të ngjashme ose të njëjtë me ato me të cilat është prodhuar vaksina.

  • Sa efektive është vaksina ndaj gripit ?

Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.Sa mirë vepron vaksina ndaj gripit, apo aftësia e saj për të parandaluar sëmundjen e gripit, varion nga një sezon në tjetrin. Efektiviteti i vaksinës mund të ndryshojë edhe në varësi të individit që është vaksinuar. Të paktën dy faktorë luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e efektivitetit të vaksinës ndaj gripit. Ato janë:

  1. Karakteristikat e individit që është vaksinuar si; mosha, shëndeti,etj.
  2. Ngjashmëria apo përputhshmëria midis viruseve të gripit me të cilat vaksina ndaj gripit është prodhuar dhe viruseve të gripit që janë përhapur (apo qarkullojnë) në komunitet.
  • A do të ketë vaksina ndaj gripit të këtij sezoni një përputhje të mirë me viruset që do të jenë në qarkullim?

Nuk është e mundur të parashikohet me siguri se cili nga viruset e gripit do të qarkullojë gjatë një sezoni. Viruset e gripit janë vazhdimisht në ndryshim – ato mund të ndryshojnë nga një sezon tek tjetri, ose ato madje mund të ndryshojnë edhe gjatë një sezoni gripi.

Ekspertët përcaktojnë muaj më parë dhe zgjedhin se cilët virus të gripit do përfshihen në  përbërjen e vaksinës, në mënyrë që vaksina të prodhohet dhe shpërndahet në kohë. Për shkak të këtyre faktorëve ekziston gjithmonë mundësia për një përputhje më pak se optimalja midis viruseve të gripit që janë në qarkullim dhe atyre në vaksinë.

  • A mund të japë vaksina mbrojtje edhe nëse vaksina nuk ka një përputhje të mirë?

Po, kundërtrupat e zhvilluar nga vaksina për një virus ndonjëherë mund të sigurojë mbrojtje kundër viruseve të tjerë të ndryshëm, por që lidhen me njëri-tjetrin.

Për këtë arsye edhe në sezonet kur ka një mospërputhje optimale, rekomandohet kryerja e vaksinës ndaj gripit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për individët me risk të lartë për  të zhvilluar komplikacione të rënda nga gripi, si dhe për njerërzit që i ndihmojnë apo jetojnë me ta.

  • Cilat janë të mirat e vaksinimit ndaj gripit ?
  • Vaksinimi ndaj gripit ju mbron nga gripi. Duke mbrojtur veten ndaj gripit ju mbroni dhe njerëzit që ju rrethojnë, të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të shkaktuara nga gripi.
  • Vaksinimi ndaj gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen e individëve të cilët janë në një risk më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga gripi si; të moshuarit, gratë shtatzëna, individët me sëmundje kronike, fëmijët dhe sidomos foshnjat deri në 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar.
  • Vaksina ndaj gripit nuk mund të shkaktojë gripin pasi ajo nuk përmban asnjë virus të gjallë.
  • Vaksinat ndaj gripit janë të sigurta. Ajo është e mirë testuar dhe ka rezultate të shkëlqyera mbrojtëse. Probleme serioze nga vaksina e gripit janë shumë të rralla. Efektet anësore më të zakonshme nga vaksina e gripit janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit e cila kalon pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë të lehtë dhe kruarje.
  • Vaksinimi ndaj gripit mund të reduktojë rrezikun për gjëndjet e rënda shëndetsore që lidhen me gripin si: shtrimet në spital dhe deri vdekjet. Vaksina funksionon. Në 10 vitet e fundit, vaksina ka dhënë mbrojtje ndaj gripit dhe ajo është akoma mënyra më e mirë për të luftuar gripin këtë dimër.
  • Vaksinimi ndaj gripit ju ndihmon që t’a kaloni më lehtë atë, nëse sëmureni prej tij.
  • Pavarësisht se mund të mos jeni sëmurur më parë nga gripi, viruset e gripit pësojnë mutacione, prandaj duhet të vaksinohemi çdo vit për të pasur mbrojtje.

 

  • Pse duhet të vaksinoheni?
  • Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.
  • Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.
  • Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjëndje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.
  • Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.
  • Nëse jeni punonjës i kujdesisht shëndetësor, mund ta merrni dhe transmetoni gripin nga pacientët apo kolegët, tuaj të cilët janë të sëmurë nga gripi.
  • Nëse ju sëmureni me grip ju mund t’ia transmetoni edhe të tjerëve edhe pse ju mund të mos ndiheni të sëmurë.
  • Duke u vaksinuar ju ndihmoni të mbroni vetveten, familjen tuaj dhe njerëzit rreth jush.

 

#GodasimGripin është një iniciativë e cila mundëson hartimin e një plani pune, duke krijuar grupe pune me personel shëndetësor dhe aktorë të tjerë, për të parandaluar gripin me anë të vaksinimit.

 #VaksinatVeprojnë Vaksinohemi ndaj gripit për t’a parandaluar atë. Parandalimi me anë të vaksinimit është më mirë se trajtimi.

 

Start Date - End Date

Feb 07, 2019 - Mar 01, 2019

Start Time - End Time

8:00 am - 5:00 pm

Category

Share This