Departamenti i Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit

Departamenti i Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit ka si mision grumbullimin, unifikimin dhe analizën e të gjitha të dhënave dhe informacionit shëndetësor, përdorimin dhe diseminimin e strategjive efektive dhe bashkëkohore të komunikimit dhe informimit shëndetësor me qëllimin final përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, e reflektuar kjo në rritjen dhe përmirësimin e qëndrueshëm të rezultateve dhe treguesëve shëndetësorë të popullatës se vendit.

Është pikërisht ky Departament në të cilin përfshihet nga ana organike dhe funksionale “Magazina e të Dhënave” [“Data Warehouse”] e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Shqipëri.

Organigrama (Struktura përbërëse) e Departamentit të Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit është në funksion të drejtimeve bazë të aktivitetit të tij:

1)      Sektori i Biostatistikës dhe Teknologjisë së Informacionit Shëndetësor përfaqëson qendrën kombëtare të grumbullimit të informacionit shëndetësor, si dhe të studimit, kërkimit, ekpertizës dhe trajnimit në fushën e administrimit dhe menaxhimit të informacionit shëndetësor (“Magazina e të Dhënave” [“Data Warehouse”]. Në bashkëpunim të ngushtë me Observatorin Kombëtar Epidemiologjik (Departamenti i Epidemiologjisë dhe Sistemeve Shëndetësore) si dhe me Departamentet e tjera të ISHP-së, ky Sektor, konkretisht njësia e tij e Biostatistikës, kryen analizën statistikore të të dhënave të ndryshme të informacionit shëndetësor.

2)      Sektori i Botimeve dhe Komunikimit Shëndetësor, përfaqëson qendrën kombëtare të informimit dhe komunikimit të informacionit shëndetësor në të gjitha nivelet, përfshirë politikëbërësit dhe vendimmarrësit, ekspertët dhe profesionistët e sektorit shëndetësor, shoqërinë civile dhe publikun në tërësi. Ai përfaqëson po ashtu, qendrën kombëtare në fushën e shëndetit publik të raportimit shkencor të situatës dhe treguesve shëndetësorë në popullatën e vendit, përmes publikimeve periodike shkencore.

3)      Njësia e Mbështetjes së Edukimit në Vazhdim në Shëndetin Publik përfaqëson strukturën e ISHP-së në mbështetje ndaj Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), në fushën e shëndetit publik.

4)      Njësia e Mbështetjes së Kërkimit dhe Partnershipit në Shëndetin Publik luan rolin mbështetës për Drejtorinë e ISHP-së, lidhur me përpilimin e dokumentacionit përkatës në projekte studimore të bashkëpunimit të ndërsjellë të ISHP- së me institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit në fushën e shëndetit publik.

Departamenti i Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit e ushtron aktivitetin e vet në drejtimet e mësipërme në mbështetje dhe funksion të ISHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të planeve përkatëse afatshkurtëra dhe afatmesme të përpiluara prej tij dhe miratuara nga Drejtoria dhe Këshilli Shkencor i ISHP-së.

Departamenti i Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit e ushtron aktivitetin e vet në bashkëpunim të ngushtë me Departamentet e tjera shkencore të ISHP-së, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Drejtoritë/Shërbimet e Shëndetit Publik në bazë Rajoni/Rrethi, si dhe Sektorë Publikë jashtë sferës së shëndetësisë; dhe/ose organizma/organizata të ndryshme jo-publike brenda dhe jashtë vendit.

Drejtimet kryesore të aktivitetit të Departamentit të Informacionit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikimit janë:

(i)           Grumbullimi periodik i informacionit shëndetësor mbi semundshmërinë spitalore nga baza e të dhënave (database) e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kontrolli mbi sasinë dhe cilësinë e informacionit të grumbulluar.

Analiza statistikore e të dhënave të informacionit të grumbulluar.

(ii)         Grumbullimi periodik i informacionit shëndetësor mbi aspektet e ndryshme të aktivitetit spitalor nga baza e të dhënave (database) e Ministrise së Shëndetësisë. Kontrolli mbi sasinë dhe cilësinë e informacionit të grumbulluar.

Analiza statistikore e të dhënave të informacionit të grumbulluar.

(iii)       Grumbullimi periodik i informacionit shëndetësor që përmbahet në Pasqyrat e tjera SH (përveç atyre të lidhura me sëmundjet infektive) nga baza e të dhënave (database) e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kontrolli mbi sasinë dhe cilësinë e informacionit të grumbulluar.

Analiza statistikore e të dhënave të informacionit të grumbulluar.

(iv)       Grumbullimi periodik i informacionit shëndetësor që përmbahet në bazën e të dhënave (database) të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) lidhur me:

  • sëmundshmërinë në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor;
  • aspektet e ndryshme të aktivitetit dhe performancës profesionale të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor.

Kontrolli mbi sasinë dhe cilësinë e informacionit të grumbulluar.

Analiza statistikore e të dhënave të informacionit të grumbulluar.

(v)         Studime/kërkime në fushën e administrimit dhe menaxhimit të informacionit shëndetësor me synim optimalizimin e treguesëve përkatës.

(vi)       Ekspertizë dhe trajnime në fushën e administrimit dhe menaxhimit të informacionit shëndetësor me personelin shëndetësor përkatës në bazë rajoni, dhe/ose rrethi në tërë vendin.

(vii)     Monitorimi dhe mbështetja teknike mbi operativitetin funksional të rrjetit të brendshëm kompjuterik të ISHP-së dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet strukturave përbërëse të ISHP-së.

(viii)   Monitorimi dhe përditësimi i website të ISHP-së, lidhur me informacionet e prodhuara periodikisht nga Departamentet shkencore të ISHP-së.

(ix)       Informimi dhe komunikimi i informacionit shëndetësor në të gjitha nivelet, përfshirë politikëbërësit dhe vendimmarrësit, ekspertët dhe profesionistët e sektorit shëndetësor, shoqërinë civile dhe publikun në tërësi.

(x)         Prodhimi periodik i “Buletini Shkencor i Institutit të Shëndetit Publik”, që përfaqëson kanalin kryesor të komunkimit dhe shpërndarjes së informacionit shëndetësor tek profesionistët e shëndetësisë dhe të gjithë aktorët dhe faktorët e sektorit të shërbimeve shëndetësore në nivel lokal dhe kombëtar, përfshirë agjencitë, organizmat dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë dhe mbështesin zhvillimin dhe përsosjen e sistemit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri.

(xi)       Prodhimi periodik i “Revista Mjekësore” (në shqip) dhe “Albanian Medical Journal” (homologu në anglisht) përfaqëson mediumin e shkruar shkencor më të rëndësishëm (krahas Buletinit të Shkencave Mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë, -Universiteti i Tiranës) në fushën e shëndetësisë në vendin tonë. Kjo revistë përfaqëson kanalin kryesor të komunikimit të rezultateve të projekteve kërkimore-shkencore në fushën e shëndetësisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

(xii)     Prodhimi periodik i materialeve të tjera informuese: shoqëria civile dhe opinioni publik në tërësi informohen rreth aktiviteteve dhe indikatorëve kryesorë të shëndetit të popullatës, përmes kanaleve të tjera alternative të komunikimit të tilla si: postera, fletë-palosje, apo komunikata për shtyp.

(xiii)   Mbështetje ndaj Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), lidhur me edukimin në vazhdim në fushën e shëndetit publik.

(xiv)   Mbështetje për Drejtorinë e ISHP-së lidhur me përpilimin e dokumentacionit përkatës në projekte studimore të bashkëpunimit dhe partnershipit të ISHP -së me institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit në fushën e shëndetit publik.