Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Loading Events
  • This event has passed.
Description

 

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit 

TETOR  2016

 

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Qëllimi i këtij organizimi është të shpërndajë informacionin për shëndetin e gjirit, dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Disa pyetje dhe përgjigje mbi kancerin e gjirit

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një sëmundje në të cilën qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Ai mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë gjirit nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza në pjesë të tjera të trupit.

Të dy sekset, si gratë ashtu edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë më i zakonshëm te gratë. Disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit sesa disa të tjera për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.

Sa është i përhapur kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit më të shpeshta që prekin gratë kudo në botë. Në disa vende vdekshmëria nga kanceri i gjirit është e lartë mbasi shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme, kryesisht për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit në zbulimin e hershëm të tij si dhe barrierave ndaj shërbimeve shëndetësore.

Ashtu si në nivel global edhe në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te femrat-në krye të listës së incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri, krahasuar me llojet e tjera të kancerit te gratë. Mosha më e prekur është ajo mbi 50 vjeç, por vihet re një tendencë e prekjes nga kanceri i gjirit edhe i moshave më të reja. Të dhënat tregojnë për një rritje të numrit të rasteve gjatë viteve të fundit, fenomen ky që vërehet edhe në shumicën e vendeve në zhvillim.

Çdo vit, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, hasen mesatarisht rreth 350 raste të reja me kancer gjiri, me një prirje të lehtë rritjeje dhe me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013. Për vitin 2015 vlerësohen të jenë mbi 4600 raste gjithësej (të reja dhe të vjetra) me kancer gjiri. Numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve kirurgjikale, një tjetër tregues i shpeshtësisë së sëmundjes së kancerit të gjirit, arriti për herë të parë në vitin 2014 vlerën 502 operacione.

Diametri i kancerit të gjirit në momentin e diagnozës është një tregues tjetër i rëndësishëm i lidhur me kapjen herët të këtij kanceri. Kombinimi i faktorëve epidemiologjik, rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës dhe përmirësimi i kapacitetit të shërbimeve, duket të kenë pasur një efekt relativisht pozitiv në uljen e numrit të kancereve të diagnostikuarë shumë vonë. Përmirësimi në kapjen e tij në kohën e duhur ka pakësuar rastet e kancerit të gjirit të lëna shumë pas dore dhe të identifikuara në madhësinë mbi 5 cm. Megjithatë, shumë raste me kancer gjiri paraqiten në faza të avancuara kur trajtimi bëhet shumë i vështirë dhe në disa raste i pamundur.

Shërbimi i depistimit/kontrollit nëpërmjet mamografisë stacionare ofrohet në shumicën e spitaleve rajonale të vendit. Gjithashtu, dy njësi të mamografisë së lëvizëshme kanë filluar të ofrojnë shërbimet e tyre falas gjatë vitit 2015 dhe 2016, për zonat ku nuk ka mamografi stacionare, duke përmirësuar aksesin në shërbimin e kapjes së hershme të kancerit të gjirit, për gratë e qyteteve të vogla dhe fshatrave.

Cilat gra janë të rrezikura për kancerin e gjirit?

Disa nga faktorët që e bëjnë një grua më të rrezikuar për tu prekur nga kanceri i gjirit janë:

Mosha – rreziku për kancerin e gjirit rritet me rritjen e moshës; shumica e kancereve të gjirit diagnostikohen pas moshës 50 vjeç, por nga kanceri i gjirit mund të preken edhe moshat e reja.

Ndryshimet në disa gjene – deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik.

Fillimi i hershëm i menstruacioneve/periodave-femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë më të rrezikuara për kancer gjiri.

Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindja e fëmijëve-femrat që kanë patur shtatzëninë e parë pas moshës 30 vjeç apo ato që nuk kanë pasur asnjë shtatzëni, kanë rrezik më të lartë për kancerin e gjirit.

Fillimi i menopauzës pas moshës 55 vjeç-menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancer gjiri.

Mungesa e aktivitetit fizik-Gjithmonë e më tepër janë duke u shtuar faktet që dëshmojnë se aktiviteti fizik sistematik dhe i moderuar ul rrezikun për kancer gjiri.

Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës-gratë mbas menopauzës të cilat janë mbipeshë apo obeze, kanë një rrezik më të lartë për kancer gjiri sesa ato me peshë normale.

Indi i gjirit i ngjeshur/i dendur – Gjinjtë e dendur kanë më shumë ind lidhës se ind dhjamor, që ndonjëherë bën të vështirë kapjen herët të tumoreve në mamografi.

Historitë personale me kancer gjiri-gratë që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit. Një grua me kancer në njërin gji ka rrezik 3-4 herë më të lartë për kancer në gjirin tjetër apo në një pjesë tjetër të të njëjtit gji.

Historitë personale me disa sëmundje gjiri jokanceroze-disa sëmundje të gjirit jokanceroze janë të lidhura me një rrezik më të lartë për kancer gjiri.

Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) ose anëtarë të tjerë të familjes nga nëna ose babai, të cilët kanë pasur kancer gjiri.

Trajtimet e mëparshme me rrezatim-gratë që kanë patur terapi rrezatimi në kraharor ose gji (si trajtimi Hodgkin) para moshës 30 vjeç, kanë rrezik më të lartë për kancer gjiri.

Alkoolpirja-studimet tregojnë se rreziku i një gruaje për kancerin e gjirit rritet në proporcion me sasinë e alkoolit që ajo pi.

Pirja e duhanit, ekspozimi ndaj kimikateve që shkaktojnë kancer, puna natën, të cilët janë faktorë që gjithashtu mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit.  

 

Nëse një grua ka faktorë rreziku për kancer gjiri, duhet të flasë me mjekun lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë.

Cilat janë shenjat e kancerit në gji?

Disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit janë:

  • Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer. Shumë gjëndra në gji shkaktohen nga gjendje të tjera mjekësore si p.sh. kistet e gjirit.
  • Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
  • Ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit
  • Skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit
  • Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
  • Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit.
  • Dhimbje në gji.
  • Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë. Disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij.
  • Çdo ndryshim tjetër i pazakontë në gji.

 

Ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.

Si zbulohet kanceri i gjirit

Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si; vetëkontrolli mujor i gjirit, ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor dhe mamografia.

  1. Vetëkontrolli mujor i gjirit-Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me rradhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë, dhe anasjelltas, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Duke kontrolluar gjinjtë rregullisht, një femër mëson sesi është pamja normale e tyre dhe kështu ajo mund të vërejë menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në gji dhe të shkojë te mjeku. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve.

Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

  1. Ekzaminimi klinik i gjirit-Ekzaminim klinik i gjirit është një vizitë e gjirit e kryer nga një personel mjekësor i trajnuar dhe rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.
  1. Mamografia-Mamografia është një lloj radiografie e gjirit e cila kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme, përpara shfaqjes së shenjave. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh.

Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin. Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara. Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhet mamografi apo teste shtesë, si dhe kontrolli nga një specialist i gjirit.

Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë.

Rekomandime mbi moshën, rrezikun dhe shpeshtësinë e depistimit për kancerin e gjirit

  1. Gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre u rekomandohet:

Nëse janë 20-40 vjeç

  • Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo tre vjet
  • Vetëkontroll mujor i gjirit

                        Nëse janë 40-50 vjeç

  • Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
  • Vetëkontroll mujor i gjirit

                        Nëse janë 50-70 vjeç.

  • Mamografi çdo 2 vjet
  • Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
  • Vetëkontroll mujor i gjirit
  1. Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm e mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind gjiri të ngjeshur e ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për kancer gjiri. Atyre u rekomandohet:
  • Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit
  • Konsultë me specialistin e gjirit
  • Mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç
  • Vetëkontroll mujor i gjirit
  1. Grave që kanë faktorë gjenetikë (janë bartëse të difektit BRCA1 apo BRCA 2), kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë u rekomandohet:
  • Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj
  • Mamografi dhe/ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç
  • Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik

Si trajtohet kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra: ndërhyrje kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi.

Pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri.

Start Date - End Date

Oct 01, 2016 - Oct 31, 2016

Start Time - End Time

8:00 am - 5:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This