25 Nëntor – 10 Dhjetor 2015, Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave dhe 16 Ditët e Aktivizmit

Loading Events
  • This event has passed.
Description

25 Nëntor – 10 Dhjetor 2015 

 

Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave dhe 16 Ditët e Aktivizmit

 

16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, është një Fushatë Globale që organizohet çdo vit. Fushata fillon në 25 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundon në 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

E njohur edhe si “16 Ditët”, çdo vit fushata bën thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Thirrja për veprim për vitin 2015 është:

 Bëjeni botën portokalli!

Jepini fund dhunës ndaj grave dhe vajzave!

Si një nga ngjyrat zyrtare të fushatës, portokallia simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë nga dhuna ndaj grave dhe vajzave.

Ky vit konsiderohet si pika kritike e përpjekjeve globale për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave e vajzave, dhe shënon 20 vjetorin e Deklaratës së Pekinit, projekti më progresiv i ndërmarrë ndonjëherë për avancimin e të drejtave të grave. Gjithashtu, në shtator të këtij viti hyjnë në fuqi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si një kornizë e re e zhvillimit global. Ndaj tani është koha vendimtare për advokim, për t’u siguruar që në axhendat politike dhe publike t’i jepet përparësi dhe të vendoset në plan të parë zbatimi i masave kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, në kuadër edhe të kornizës së re të zhvillimit global.

Në vitin 1995, dhuna ndaj grave u rendit si një nga dymbëdhjetë fushat kritike të shqetësimit të Platformës për Veprim të Pekinit, por raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, apo rishikime të tjera kombëtare të bëra në kuadër të njëzet viteve të zbatimit të kësaj platforme, tregojnë se pavarësisht nga përparimi, nivelet e dhunës ndaj grave dhe vajzave mbeten të larta dhe në një shkallë të papranueshme në mbarë botën. Zbatimi i ngadaltë dhe i pabarabartë i kuadrit ligjor kombëtar, vëmendja e pamjaftueshme kushtuar parandalimit të shfaqjes së dhunës, si dhe diskriminimi i vazhdueshëm, pabarazia gjinore, normat diskriminuese dhe stereotipet gjinore mbeten pengesa të mëdha për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Për këto arësye, Fushata UNiTE e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave fton qeveritë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile dhe individë nga të gjitha vendet e botës për të shënuar ditët nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor -16 Ditët, me përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Këtë vit ne duam ta mbajmë botën portokalli gjatë gjithë 16 ditëve të aktivizmit, dhe ju ftojmë që të mbani në konsideratë organizimin e aktiviteteve tuaja jo vetëm në datën 25 nëntor, por edhe gjatë të gjitha ditëve të tjera.

Bashkohuni me ne, ndërmerrni veprime për ta bërë botën portokalli, tregoni mbështetjen tuaj që angazhimet politike të harmonizohen me veprime të përgjegjshme dhe burime të mjaftueshme për të reduktuar dhunën ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën.

 

16 fakte të rëndësishme për dhunën ndaj grave

Fakti 1: 70% e grave përjetojnë dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim në një moment gjatë jetës së tyre

Studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i kryer në disa vende, për shëndetin e grave dhe dhunën (dhunën fizike, mendore dhe seksuale) në familje ndaj tyre, tregoi se dhuna nga partneri intim është e përhapur në shumë shoqëri.

Fakti 2: Dhuna kundër grave mund të parashikohet dhe të parandalohet

Nivelet e dhunës kundër grave nuk janë të njëjta në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët. Duke identifikuar faktorët socialë, kulturorë, ligjorë dhe ekonomikë që ndikojnë këtë dhunë, është e mundur që të parashikohet ndodhja e saj dhe të kuptohet sesi ajo të parandalohet. Programet shkollore për të parandaluar dhunën, reduktimi i përdorimit të rrezikshëm të alkoolit, ndryshimi i normave sociale dhe kulturore përmes edukimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit, si dhe ndërhyrja te fëmijët e keqtrajtuar për të shmangur përfshirjen e tyre më vonë në dhunë, mund të reduktojnë dhunën ndaj grave.

Fakti 3: Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e grave

Pasojat e shëndetit mendor nga dhuna prej partnerit intim dhe dhuna seksuale përfshijnë depresion, çrregullime të stresit post-traumatik, ankth, përpjekje vetëvrasëse dhe abuzim me substancat. Pasojat e shëndetit fizik përfshijnë lëndime, sindromën e dhimbjes kronike, çrregullime gastrointestinale, si dhe aftësi të kufizuara. Dhuna mund të çojë në shtatzëni të padëshiruara, probleme gjinekologjike dhe aborte të detyruara. Gratë që vuajnë dhunën e ushtruar nga partneri intim kanë shëndet të përgjithshëm jo të mirë, për një kohë më të gjatë sesa gratë që nuk janë prekur nga kjo dhunë.

Fakti 4: Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve

Përjetimi i dhunës nga partneri i ngushtë mund të dëmtojë zhvillimin normal të fëmijëve në familje. Studimet kanë treguar se fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës midis prindërve kanë më shumë probleme sociale, emocionale, të sjelljes dhe të përgjithshme shëndetësore, sesa fëmijët nga familjet ku nuk ka dhunë mes partnerëve.

Fakti 5: Dhuna kundër grave rrit gjasat për t’u infektuar me HIV

Studimet nga disa vende tregojnë se dhuna kundër grave rrit rrezikun e infektimit me HIV. Një studim i kohëve të fundit i femrave të reja në Afrikën e Jugut tregoi se gratë me HIV negativ, që kishin përjetuar dhunë nga partneri i ngushtë ose nivele të larta të pabarazisë gjinore në marrëdhëniet e tyre me meshkujt, kishin 51% më shumë gjasa për të marrë HIV gjatë 2 viteve të ardhshme.

Fakti 6: Dhuna ndaj grave është një pengesë për arritjen e disa Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM)

Rishikimi i Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit për vitin 2010 tregoi se, përparimi në arritjen e Objektivit të Zhvillimit të Mijëvjeçarit 4 për vdekshmërinë e fëmijëve dhe Objektivit të Zhvillimit të Mijëvjeçarit 5 për vdekshmërinë amtare/mëmësore është shumë i ngadalshëm. Arritja e këtyre objektivave është penguar nga dhuna kundër grave. Është vlerësuar se 1 në 4 gra në të gjithë botën është abuzuar fizikisht ose seksualisht gjatë shtatzënisë, zakonisht nga partneri i saj. Dhuna ndaj grave shtatzëna është e lidhur me një rrezik për abort, lindje të parakohshme dhe vuajtje të fetusit, si dhe lindje me peshë të ulët. Dhuna ndaj grave është gjithashtu një shkak i vdekjes maternale/mëmësore. Përpjekjet për të reduktuar vdekshmërinë e nënës dhe fëmijëve duhet të përfshijnë masa për të reduktuar dhunën seksuale ndaj grave prej partnerit intim.

Fakti 7: Dhuna ndaj grave ndikon seriozisht zhvillimin ekonomik

Dhuna nga partneri intim ka një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, kostot e vlerësuara të dhunës nga partneri intim shkojnë në 5.8 bilionë dollarë amerikanë në vit. Këto përfshijnë kostot direkte për shërbimet mjekësore (rreth 2/3 e totalit të shpenzimeve), si dhe shpenzimet indirekte të tilla si humbja e produktivitetit.

Fakti 8: Burrat të cilët kanë qenë viktima të keqtrajtimit në fëmijëri, kanë 3-4 herë më shumë gjasa për të kryer dhunë ndaj partnerit intim

Studimet sugjerojnë se ekspozimi ndaj dhunës gjatë fëmijërisë rrit gjasat për të kryer dhunë kundër partnerit intim nga 3 në 4-fish, në krahasim me ata të cilët nuk janë të ekspozuar ndaj dhunës në fëmijëri.

Fakti 9: Përdorimi i dëmshëm i alkoolit nga burrat rrit gjasat e dhunës ndaj partnerit

Disa studime, të kryera në vende me të ardhura ulëta dhe të mesme, tregojnë se njerëzit të cilët keqpërdorin alkool kanë 1,6 deri 4,8 herë më shumë gjasa për të kryer dhunë ndaj partnerit intim, sesa meshkujt që nuk keqpërdorin alkool.

Fakti 10: Dhuna seksuale është e përhapur në vendet e konfliktit, pas konfliktit dhe gjatë shpërnguljeve me dhunë

Në konfliktet e armatosura, prishja e strukturave të mbështetjes sociale për familjet e komunitetet, si dhe ndërprerja e shërbimeve, lënë gratë dhe fëmijët të rrezikuar nga dhuna seksuale, duke përfshirë përdhunimin dhe shfrytëzimin seksual. Gratë mund t’i dorëzohen abuzimit seksual për shkak të nevojës për ushqim dhe nevojave të tjera jetësore themelore. Përdhunimi është përdorur për të keqtrajtuar dhe fyer civilët, si një taktikë lufte, edhe në kohërat e spastrimit etnik.

Fakti 11: Programet që rrisin aksesin e grave në mikrokredi dhe trajnojnë njerëzit për marrëdhënie të shëndetshme e aftësi negociuese, mund të parandalojnë dhunën ndaj grave

Një program i quajtur Ndërhyrja me Mikrofinanca për AIDS-in dhe Barazinë Gjinore në Afrikën e Jugut tregoi sukses të madh. Programi shënjestron gratë që jetojnë në familjet më të varfëra në zonat rurale, dhe kombinon shërbimet financiare me sesione të aftësimit të grave dhe burrave për parandalimin e HIV-it, normat gjinore, besimet kulturore, komunikimin dhe dhunën nga partneri. Dy vjet pas përfundimit të programit, gratë pjesëmarrëse raportuan 55% më pak akte të dhunës nga partnerët e tyre intim.

Fakti 12: Programet shkollore mbi dhunën mund të parandalojnë dhunën kundër grave

“Të dhëna të sigurta” është një iniciativë e shkollës dhe komunitetit që targeton vajzat e djemtë 13-15 vjeç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programi adreson normat gjinore dhe barazisë në fillim të jetës, përpara se stereotipet të zhvillohen. Ai përfshin një program prej 10 sesionesh trajnimi për ofruesit e shërbimeve mbështetëse, si dhe një teatër. Një vlerësim i programit gjeti se pjesëmarrësit raportuan më pak abuzim psikologjik dhe dhunë seksuale e fizike ndaj partnerit të tyre aktual një muaj pas përfundimit të programit, si dhe katër vjet më vonë.

Fakti 13: Angazhimi i burrave dhe djemve në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe promovimin e barazisë gjinore mund të ketë efekte pozitive

Studimet tregojnë se shkaqet kryesore të dhunës ndaj grave përfshijnë normat e dëmshme mashkullore dhe pranimin e dhunës si një normë sociale. Sondazhet tregojnë se burrat dhe djemtë kanë më shumë gjasa të raportojnë se kanë ushtruar dhunë ndaj partnereve të tyre, prandaj është e nevojshme të punohet me ta për barazinë gjinore, për të zvogëluar dhunën ndaj grave. Një numër ndërhyrjesh që promovojnë barazinë gjinore me burrat dhe djemtë kanë treguar sukses.

Fakti 14: Organizata Botërore e Shëndetësisë jep udhëzime sesi të zbatohen programe të bazuara në fakte për parandalimin e dhunës seksuale ndaj grave prej partnerit intim

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerë të tjerë kanë zhvilluar një manual “Parandalimi i dhunës seksuale kundër grave nga partneri intim: Ndërmarrja e veprimeve dhe krijimi i evidencave”, i cili përmbledh evidenca ekzistuese mbi rreziqet e dhunës ndaj grave dhe programet që synojnë parandalimin e saj.

Fakti 15: Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar rekomandime për të mbështetur punonjësit e shëndetësisë për të adresuar pasojat e dhunës seksuale

Për të ndërtuar kapacitetet e punonjësve të shëndetit për mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e tjerë kanë zhvilluar një kurs në internet për ofruesit e kujdesit shëndetësor për “Menaxhimin klinik të përdhunimit” dhe “Udhëzime për kujdesin mjeko-ligjor për viktimat e dhunës seksuale”. Ky kurs ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale, duke pajisur ofruesit e kujdesit shëndetësor me njohuritë e aftësitë e nevojshme për kujdesin ndaj viktimave të dhunës seksuale.

Fakti 16: Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet kërkime mbi kuptimin dhe parandalimin e dhunës seksuale

Dhuna ndaj grave është identifikuar si një problem i madh për shëndetin publik dhe i të drejtave të njeriut, por mungesa e të dhënave të besueshme mbi shkaqet, madhësinë dhe pasojat e problemit ngadalëson kërkimin për zgjidhje. Për të mbledhur të dhëna të tilla, Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi një studim në disa vende mbi shëndetin e grave dhe dhunën në familje ndaj tyre. Gjithashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë ndihmon koordinimin e iniciativës për kërkime ndaj dhunës seksuale, një rrjet i studiuesve, hartuesve të politikave, aktivistëve dhe donatorëve të përkushtuar për të kuptuar dhe parandaluar dhunën seksuale.

 

Start Date - End Date

Nov 25, 2015 - Dec 10, 2015

Start Time - End Time

12:00 am - 12:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This