15 Tetor 2015, Dita Botërore e Larjes së Duarve

Loading Events
  • This event has passed.
Description

Dita Botërore e Larjes së Duarve u organizua për herë të parë në 15 tetor të vitit 2008 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF). Në këtë ditë, në më shumë se 70 vende të botës, mbi 120 milionë fëmijë lajnë duart me ujë dhe sapun.

posteri

Mesazhi i këtij viti është: “Ngrijeni dorën në favor të higjienës”.Kjo temë është e orientuar drejt veprimit dhe synon  advokacinë për higjienën. Kur njerëzit ngrenë dorën, ata mund të numërohen, dhe një gjë e tillë mund të ndihmojë qeveritë të identifikojnë numrin e njerëzve të  cilët lajnë duart sipas rregullave të përcaktuara nga OBSH-ja. 

Synimi i kësaj dite është:

–          Krijimi dhe fuqizimi i një kulture globale dhe lokale lidhur me rolin dhe rëndësinë e larjes së duarve me sapun.

–          Ngritja e vetëdijes për përfitimet që sjell në shëndet larja e duarve me sapun.

–          Rritja e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e larjes së duarve me sapun në parandalimin e sëmundjeve vdekjeprurëse.

 

Gjithashtu, kjo ditë  është një mundësi e mirë për t’i kërkuar qeverive të marrin masa të cilat do të sjellin rritjen e informacionit dhe ndërgjegjësimit lidhur me rëndësine e larjes së duarve. Sipas UNICEF-it, diarreja vret një fëmijë çdo 30 sekonda.

Larja e duarve është mënyra e vetme, më e thjeshtë, më e mirë, më e dobishme, më efektive dhe më ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje që vijnë prej duarve të palara.

Larja e duarve me sapun mund të parandalojë rreth 50% të vdekjeve nga diarreja dhe rreth 25 % të vdekjeve nga infeksionet respiratore akute.

 

Fakte

-Më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë, ose 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike nën moshën 5 vjeç.

– Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç.

-Larja e duarve, sidomos në momentet më kritike, si përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 50% diarretë te fëmijët nën 5 vjeç.

-Larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksion akut respirator në rreth 23%.

-Pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore, është shkaku numër një i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç, dhe çdo vit prej saj preken 1.8 milionë fëmijë.

-Diarreja dhe pneumonia së bashku llogarisin çdo vit të paktën 3.5 milionë vdekje të fëmijëve.

-Larja e duarve, nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën, është në shifra të ulëta (34 %), sidomos në momentet më kritike. Këto sëmundje janë përgjegjëse për rreth 3.5 milionë të vdekjeve foshnjore çdo vit.

-Çdo ditë, më shumë se 5 mijë fëmijë nën 5 vjeç vdesin për shkak të nivelit të ulët të higjienës në vendet ku banojnë.

 

Përse duhen larë duart?

Mikrobet janë kudo, ato mund të përhapen lehtë nga një vend në një tjetër nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit. Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte, të tilla si aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj., mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene. Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë për njeriun. Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit duke i larë duart tuaja tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem të dobësuar imunitar (një ftohje banale mund të komplikohet në një bronkit kronik). Është mjaft e rëndësishme që gjithkush ta kthejë në zakon larjen e duarve, në dukje një veprim shumë i thjeshtë, por që shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma të diarreve.

 

Kur duhen larë duart?

-Mbas kryerjes së çdo pune apo aktiviteti.

-Para dhe pas ngrënies .

-Mbas përdorimit të banjës.

-Kur kolliteni, teshtini ose shfryni hundën.

-Kur duhet të kujdeseni për një person të sëmurë.

-Kur hidhni plehrat, mbas prekjes së flokëve apo lëkurës suaj.

-Mbas prekjes së kafshëve, kur përdorni transport publik etj.

 

Cila është mënyra korrekte e larjes së duarve?

  1. Lagini duart me ujë të ngrohtë.
  2. Merrni sapunin dhe sapunisini duart.
  3. Fërkojini duart me njëra-tjetrën, (pëllëmbët, kurrizin e duarve dhe midis gishtave) të paktën për 20 sekonda.
  4. Shpëlajini duart mirë.
  5. Thajini duart tuaja me letër të posaçme njëpërdorimshe, me peshqir të pastër ose me ajër të ngrohtë.
  6. Mbyllni çezmën me pecetë dhe hidheni atë në kosh.

Sapuni i zakonshëm ose i lëngshëm është i mjaftueshëm për të hequr mikrobet nga duart tuaja, ose ju mund të përdorni solucionet e duarve me bazë alkooli për të dezinfektuar duart tuaja në të thatë.

 

Kujdes!

Vetëm uji nuk mjafton. Për një larje efikase është shumë i rëndësishëm përdorimi i sapunit dhe i solucioneve të tjera të rekomanduara për larjen e duarve.

Start Date - End Date

Oct 15, 2015 - Oct 15, 2015

Start Time - End Time

12:00 am - 12:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This