Dita Botërore e Shëndetit Mendor 2022

Dita Botërore e Shëndetit Mendor 2022

“Bëje shëndetin dhe mirëqenien mendore për të gjithë një prioritet global” Përderisa pandemitë ekzistojnë dhe vazhdojnë të ndikojnë pashmangshmërisht në shëndetin tonë në tërësi, aftësia për t'u ribashkuar përmes Ditës Botërore të Shëndetit Mendor 2022 do të na ofrojë një mundësi reale për forcimin e përpjekjeve tona për mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit mendor.
Shumë aspekte të shëndetit mendor janë sfiduar – para pandemisë në vitin 2019, vlerësohej se një në tetë njerëz në mbarë botën jetonin me një çrregullim mendor. Në të njëjtën kohë, shërbimet, aftësitë dhe fondet e disponueshme për shëndetin mendor mbeten të pamjaftueshme në raport me nevojat, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Pandemia e COVID-19 ka krijuar një krizë globale duke ndikuar në përjetimin e stresit afatshkurtër dhe afatgjatë dhe duke dëmtuar shëndetin mendor të miliona njerëzve. Vlerësimet tregojnë rritjen e çrregullimeve të ankthit dhe depresionit në më shumë se 25% gjatë vitit të parë të pandemisë. Në të njëjtën kohë, shërbimet e shëndetit mendor janë ndërprerë në mënyrë drastike, duke e thelluar hendekun e kushteve të duhura për trajtimin e kësaj problematike.

Rritja e pabarazive sociale dhe ekonomike, konfliktet e zgjatura, dhuna dhe emergjencat e shëndetit publik prekin të gjithë popullsinë, duke kërcënuar përparimin drejt përmirësimit të mirëqenies; 84 milionë njerëz në mbarë botën u zhvendosën me forcë gjatë vitit 2021.
Ne duhet të thellojmë vlerën, angazhimin dhe investimin që i japim shëndetit mendor si individë, komunitete dhe qeveri në bashkërendim me të gjithë aktorët dhe sektorët e mundshëm.
Ne duhet të forcojmë kujdesin ndaj shëndetit mendor në mënyrë që spektri i gjerë i nevojave të shëndetit mendor të plotësohet nëpërmjet një rrjeti shërbimesh dhe mbështetjesh të aksesueshme, të përballueshme dhe cilësore të bazuara në komunitet.
Stigma dhe diskriminimi vazhdojnë të jenë pengesë për përfshirjen sociale dhe aksesin në kujdesin e duhur; e rëndësishmja: ne të gjithë mund të luajmë rolin tonë në rritjen e ndërgjegjësimit se cilat ndërhyrje parandaluese të shëndetit mendor funksionojnë, dhe Dita Botërore e Shëndetit Mendor është një mundësi për ta bërë këtë kolektivisht.
Ne synojmë një botë në të cilën shëndeti mendor vlerësohet, promovohet dhe mbrohet; ku të gjithë në përputhje me nevojat kanë akses, mundësi të barabarta përfituese, dhe për të ushtruar të drejtat e tyre njerëzore.

Shëndeti mendor
Vitet e fundit, ka pasur një njohje në rritje të rolit të rëndësishëm që luan shëndeti mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, siç ilustrohet nga përfshirja edhe në Objektivat e
Zhvillimit të Qëndrueshëm…

Depresioni është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë.
Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjes tek 15-29-vjeçarët. Njerëzit me kushte të rënda të shëndetit mendor vdesin para kohe – deri në dy dekada më herët – për shkak të kushteve fizike të parandalueshme.
Pavarësisht progresit në disa vende, personat me probleme të shëndetit mendor shpesh përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim dhe stigmë.  Shumë probleme të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive me kosto relativisht të ulët, megjithatë hendeku midis njerëzve që kanë nevojë për kujdes dhe
atyre që kanë akses në kujdes mbetet i diskutueshëm dhe thelbësor. Mbulimi efektiv i trajtimit mbetet jashtëzakonisht i ulët.
Kërkohen investime të shtuara në të gjitha frontet: që ndërgjegjësimi për shëndetin mendor të rrisë të kuptuarit dhe të reduktojë stigmën; për përpjekjet për të rritur aksesin në kujdes cilësor të shëndetit mendor dhe trajtime efektive; për kërkime për të identifikuar trajtime të reja dhe për të përmirësuar trajtimet ekzistuese për të gjitha çrregullimet mendore.
Problemet e shëndetit mendor janë shtuar në mbarë botën. Kryesisht për shkak të ndryshimeve demografike, ka pasur një rritje prej 13% të problemeve të shëndetit mendor dhe çrregullimeve të përdorimit të substancave në dekadën e fundit (deri në 2017).
Problemet e shëndetit mendor tani janë shkaktare që 1 në 5 persona të jetojnë me aftësi të kufizuara. Rreth 20% e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë me probleme të shëndetit mendor kryejnë vetëvrasje – shkaku i dytë kryesor i vdekjes midis 15-29 vjeçarëve.
Përafërsisht një në pesë persona në mjediset e ndryshme, pas konfliktit kanë një problem të shëndetit mendor.
Problemet e shëndetit mendor mund të kenë një efekt thelbësor në të gjitha fushat e jetës, të tilla si: performanca e shkollës ose e punës, marrëdhëniet me familjen dhe miqtë dhe aftësia për të marrë pjesë në komunitet. Dy nga problemet më të zakonshme të shëndetit mendor, depresioni dhe ankthi, i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion dollarë çdo vit.
Pavarësisht këtyre shifrave, mesatarja globale e shpenzimeve shëndetësore të qeverisë që shkojnë për shëndetin mendor është më pak se 2%.