Dita Botërore e Mjedisit,5 Qershor 2022
5 Qershor 2022
Dita Botërore e Mjedisit
Dita Botërore e Mjedisit është caktuar 50 vjet më parë, në 5 qershor 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ajo synon të rrisë vetëdijen e publikut rreth çështjeve të mjedisit, të tërheqë vëmendjen e politikëbërësve ndaj këtyre çështjeve, si dhe të nxisë veprimin individual në këtë drejtim.
Kjo ditë zakonisht përcjell një tematikë të caktuar. Në të kaluarën tema të kësaj dite kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ekosistemi, biodiversiteti, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke patur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit të njeriut.
Ne kemi vetëm një tokë, le të kujdesemi për të, është tema e këtij viti, dhe në fokus ka: Jeto në mënyrë të qëndrueshme në harmoni me natyrën’’. Tashmë edhe mediat po përgatiten për këtë temë duke raportuar për ngjarjet dhe përpjekjet për të reduktuar ndotjen plastike. Në Ditën Botërore të Mjedisit marrin pjesë OJQ-të, qeveritë, komunitetet, individët, bamirësit, organizatat, duke rritur së bashku ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore. Vendi ynë hedh një hap konkret në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Nga data 1 qershor 2022 nis një epokë e re për Shqipërinë:ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimshe, për një mjedis sa më të pastër, për mbrojtjen e planetit Tokë dhe për një jetë më të shëndetshme për të gjithë ne. Dita Botërore e Mjedisit mund të organizohet nëpërmjet aktiviteteve të tilla si: fushata, koncerte, konventa dhe parada, mbjellje pemësh dhe ligjërata. Materialet promovuese për këtë ditë priren të krijohen duke përdorur ngjyrat natyrore mjedisore.