19 Nëntor 2022 Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve

19 Nëntor 2022

Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve

 

– 3 në 4 fëmijë ose 300 milionë fëmijë të moshës 2-4 vjeç vuajnë rregullisht nga ndëshkimi fizik dhe/ose dhuna psikologjike nga prindërit dhe kujdestarët.
-1 në 5 vajza dhe 1 në 13 djem kanë raportuar se janë abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë nga mosha 0-17 vjeç.
– 120 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 20 vjeç kanë përjetuar një nga format e abuzimit seksual.
– Keqtrajtimi i fëmijëve mund të ketë pasoja në shëndetin fizik dhe mendor. Keqtrajtimi është i lidhur ngushtë me përvojat e tjera negative gjatë fëmijërisë të cilat mund të ndikojnë gjatë gjithë ciklit të jetës, duke u shoqëruar me kosto të lartë shoqërore.
– Personat e keqtrajtuar gjatë fëmijërisë kanë më tepër mundësi të bëhen abuzues në të ardhmen, të kenë probleme shëndetësore, probleme me depresionin, probleme në shkollë, vetëvlerësim të ulët etj.
-Parandalimi i keqtrajtimit të fëmijëve qysh në fazat e hershme kërkon qasje efektive dhe bashkëveprimin e një sërë elementësh, që përfshijnë mbështetjen e prindërve (ofrimin e praktikave pozitive të prindërimit), si dhe përmirësimin e ligjeve për të.
– Kujdesi i vazhdueshëm ndaj fëmijëve dhe familjeve mund të zvogëlojë rrezikun e rishfaqjes së keqtrajtimit dhe pasojat e tij.

Keqtrajtimi është abuzimi (fizik, emocional, seksual), shfrytëzimi dhe neglizhenca që u ndodh fëmijëve nën moshën 18 vjeç, që rezultojnë në dëmtime të gjendjes shëndetësore, cënojnë zhvillimin, dinjitetin dhe rrezikojnë jetën e tyre.
Çdo vit, vlerësohet se ka rreth 40 150 humbje jete të fëmijëve nën moshën 18 vjeç, disa prej të cilave ndodhin për shkak të keqtrajtimit. Kjo shifër mund të nënvlerësojë shtrirjen e vërtetë të problemit, pasi një pjesë e konsiderueshme e humbjeve të jetëve për shkak të keqtrajtimit i atribuohen gabimisht rrëzimeve, djegieve, mbytjes dhe shkaqeve të tjera.

Faktorët e keqtrajtimit
– Faktorë të shumtë ndikojnë në keqtrajtimin e fëmijëve. Shpesh herë janë prindër që kanë qenë të keqtrajtuar gjatë fëmijërisë, por ka dhe prindër të cilët nuk kanë qenë të keqtrajtuar të cilët abuzojnë me fëmjët e tyre. Këta prindër përgjithësisht karakterizohen nga vetëbesim i ulët, vetmia, izolimi, depresioni, frika, përdorimi i substancave të ndryshme.
-Përdorimi i substancave nga prindërit i rrezikon më shumë fëmijët e tyre, të jenë pre e keqtrajtimeve.
– Mungesa e njohurive të prindërve për zhvillimin e fëmijërisë mund të rezultojë në pritshmëri të paarsyeshme, qëndrime të papërshtatshme që mund të kontribuojnë në sjellje abuzive me fëmijët.

– Shtatzënia e padëshiruar mund të rrisë ndjeshëm abuzimin ndaj fëmijës, veçanërisht kur stresi dhe izolimi social karakterizojnë familjen.
– Fëmijët e pabindur dhe që nuk dëgjojnë këshillat e prindërve, kanë gjasa të bien me shumë pre e abuzimit. Fëmijët me aftësi ndryshe janë më shumë të prekur nga veprime të dhunshme.

Pasojat e keqtrajtimit
– Pasojat e keqtrajtimit, si dhe ekspozimi ndaj përvojave të ndryshme negative gjatë fëmijërisë (të menjëhershme apo afatgjata), kanë ndikim serioz në mirëqenien fizike, emocionale, zhvillimin dhe gjendjen shëndetësore të tyre. Këto përfshijnë: lëndimet në kokë veçanërisht te fëmijët e vegjël, stres post-traumatik, ankth, depresion, si dhe infeksione seksualisht të transmetueshme (IST), pa përjashtuar HIV-in.

Vajzat adoleshente mund të përballen me probleme të shëndetit riprodhues, shtatzëni të padëshiruar etj. Keqtrajtimi i fëmijëve mund të ndikojë në performancën akademike dhe është i lidhur fort me abuzimin me alkoolin, duhanin, drogat të cilët janë faktorë kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme (NCD), si sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.
– Keqtrajtimi ndaj fëmijëve është gjithashtu, një kontribues i pabarazive në arsim. 13% e fëmijëve që mund të kenë qenë të prekur nga dhuna kanë më shumë gjasa për të mos mbaruar shkollën.

Parandalimi
– Ofrojuni ndihmë sistematikisht. Fëmijët që janë dëshmitarë ose përjetojnë raste të keqtrajtimeve në familje duhet të ndihen të sigurt. Bisedoni me fëmijën tuaj për rëndësinë e marrëdhënieve të shëndetshme.
– Bisedoni me ta nëse ndihen të frikësuar. Vërini në dijeni që nuk është faj i tyre për atë se çfarë po ndodh në familje.
– Shpjegojuni fëmijëve se askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi ta. Mësojuni fëmijëve se askush nuk ka të drejtë t'i prekë ose t'i bëjë të ndihen të dhunuar, duke përfshirë anëtarët e familjes, mësuesit, bashkëmoshatarët etj.
-Ndihmojini ata të gjejnë një sistem mbështetës të besueshëm, nëse ndihen të dhunuar. Përveç ndihmës së prindit, këta fëmijë mund të kërkojnë mbështetje nga psikologu i shkollës ose nga një person i besuar i cili mund të sigurojë mbështetje të vazhdueshme.