2 Tetor 2022 Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës

2 Tetor 2022

Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës është caktuar data 2 tetor, e cila përkon me ditëlindjen e Mahatma Gandhit, udhëheqës i lëvizjes për pavarësi në Indi. Kombet e Bashkuara njohin lidhjen filozofike midis parimeve universale të të drejtave të njeriut dhe atyre të përdorura nga Mahatma Gandhi; mjetet dhe metodat e tij kanë qenë gurthemeli i nismave të të drejtave civile dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Gandhi preferonte rezistencën pasive, jotradicionale për t’i mbijetuar pushtimit britanik. Ai nuk hoqi dorë nga format paqësore, të cilat rezultuan efikase në luftën për pavarësi të vendit të tij.
Gandhi ka nxitur krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet njerëzve të feve dhe etnive të ndryshme, duke respektuar të drejtat e grave dhe duke ulur varfërinë.Rezoluta A/RES/61/271 e 15 qershorit 2007 rikonfirmon “Rëndësinë universale të parimeve kundër dhunës dhe dëshirën për të siguruar kulturën e paqes dhe tolerancës”, dhe në këtë kontekst, DITA shërben për të përforcuar këto mesazhe, përfshirë edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Kjo ka vlerë edhe për kundërshtarët tanë, për armiqtë, ku gjuha e arsyes, e gjetjes së pikave të përbashkëta të interesit mund të sigurojë kulturën e dialogut dhe përmbushjen e qëllimeve. Dhuna fizike, për fat të keq, ende përdoret për arritjen e shumë qëllimeve, si në planin individual dhe atë social apo politik. Dhe kjo, kërkon një transformim rrënjësor në çdo pikëpamje.
Studiuesit e kanë quajtur teorinë e “Kundër dhunës!” si “politika e njerëzve të rregullt”, të cilët nuk kanë qasje në instrumentet që i shërbejnë asaj, përfshirë edhe armët. Në fakt dhuna, ka pasojë dhunën. Kjo shpesh kthehet në një rreth vicioz që nuk mbaron kurrë.
Zakonisht “ Kundër dhuna” është përdorur gjerësisht në të gjithë botën si një mënyrë për të përmbushur kauza madhore apo për të arritur drejtësi sociale; është sinonim me pacifizmin që beson në arsyen e shëndoshë të njerëzve të civilizuar në zgjidhjen e konflikteve dhe që po aplikohet gjerësisht që pas gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Ndonjëherë mbrojtësit e vijës së ashpër (revolucionarët) e shikojnë ‘’Kundër dhunën’’ si dobësi. Nuk është e vërtetë. Bazuar në fakte, është ekzaktësisht e kundërta. Ajo kërkon kurajo dhe forcë, sensibilizim dhe pjesëmarrje aktive. Është shumë e rëndësishme që në familje dhe institucione të edukimit (formimit të personalitetit), të promovohet kultura e tolerancës, e ‘’Kundër dhunës’’, veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët.
Duhet rrënjosur bindja se dhuna nuk duhet të tolerohet nga askush, pavarësisht moshës, sfondit (rrethanave) apo problemeve. Kjo ka vlerë të përhershme, si në kohë krizash (lufte) apo paqeje. Shoqëria civile, por edhe media mund të luajnë një rol të dobishëm në këtë drejtim.Toleranca ka nevojë për motivim dhe durim, për vetëkontroll dhe synon të promovojë qasje dhe shanse të barabarta.