10 SHTATOR,DITA BOTËRORE E PARANDALIMIT TË VETVRASJEVE

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve përkujtohet çdo vit më 10 shtator.Tema e këtij viti ka të bëjë me “Krijimin e shpresës përmes veprimit”.

Pra, le të punojmë së bashku me familjet, miqtë, punonjësit e kujdesit shëndetësor, udhëheqësit fetarë dhe politikë
për të parandaluar vetëvrasjen përmes këshillimit dhe mbështetjes aktive. Është koha që të fuqizojmë të tjerët që të marrin përgjegjësitë e jetës së tyre dhe të vlerësojnë jetën që kanë.

Faktet kryesore
1.Më shumë se 700 000 njerëz vdesin për shkak të vetëvrasjeve çdo vit.
2. Numri i atyre që tentojnë vetëvrasjen është shumë më i lartë se ata që humbasin jetën për këtë shkak. Një përpjekje e mëparshme për vetëvrasje është faktori i vetëm më i rëndësishëm i rrezikut për përsëritjen e aktit në popullatën e përgjithshme.
3. Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve tek moshat 15-19 vjeç .
4. 77% e vetëvrasjeve globale ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
5. Gëlltitja e pesticideve, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të zakonshme të vetëvrasjes në mbarë botën.
Çdo vit 703 000 njerëz i japin fund jetës së tyre dhe ka shumë më tepër persona që tentojnë të bëjnë vetëvrasje. Çdo vetëvrasje është një tragjedi që prek familjet, komunitetet, vendet mbarë dhe ka efekte afatgjata te njerëzit e prekur drejtpërdrejt nga kjo fatkeqësi. Vetëvrasja mund të ndodhë në çdo etapë të jetës dhe është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve midis 15-29 vjeçarëve në mbarë botën.
Vetëvrasja nuk ndodh vetëm në vendet me të ardhura të larta, por është një fenomen global në të gjitha rajonet e botës. Në fakt, mbi 77% e vetëvrasjeve globale kanë ndodhur në vendet me
të ardhura të ulëta dhe të mesme në vitin 2019.Vetëvrasja është një problem serioz i shëndetit publik; megjithatë, janë të parandalueshme me ndërhyrje në kohë, të bazuara në fakte dhe shpesh me kosto të ulët. Që përgjigjet kombëtare të jenë efektive, nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse multisektoriale.

Kush është në rrezik?
Teksa lidhja midis vetëvrasjes dhe çrregullimeve mendore (në veçanti, depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e mirëprovuar në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin në mënyrë impulsive në momente krize, me tregues të paaftësisë për të përballuar streset e jetës, të tilla si: probleme financiare, shkëputje të marrëdhënieve ose humbje e një personi të dashur dhe sëmundje kronike.
Për më tepër, përjetimi i konfliktit, fatkeqësisë, dhunës, abuzimit ose humbjes dhe ndjenja e izolimit janë të lidhura fort me sjelljen vetëvrasëse . Shkalla e vetëvrasjeve është gjithashtu e lartë në mesin e grupeve vulnerabël që përjetojnë diskriminim, si refugjatët dhe migrantët; popujt indigjenë; persona lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, pa gjini të përcaktuar (LGBTI); dhe të burgosurve. Deri tani, faktori më i fortë i rrezikut për vetëvrasje është i stimuluar ngaa një përpjekje e mëparshme e pasuksesshme për dhënien fund të jetës.

Metodat e vetëvrasjes
Është vlerësuar se rreth 20% e vetëvrasjeve globale janë për shkak të vetëhelmimit me pesticide, shumica e të cilave ndodhin në zonat bujqësore rurale në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Metoda të tjera të zakonshme të vetëvrasjes janë varja dhe armët e zjarrit. Njohja e metodave më të përdorura të vetëvrasjes është e rëndësishme për të hartuar strategji parandaluese të cilat kanë rezultuar efektive, si kufizimi i aksesit në mjetet e sipërcituara.

Parandalimi dhe kontrolli
Vetëvrasjet janë të parandalueshme. Ka një sërë masash që mund të merren në nivel popullsie, nënpopullsie dhe individuale për të parandaluar vetëvrasjen dhe tentativat për vetëvrasje. LIVE LIFE, qasja e OBSH-së për parandalimin e vetëvrasjeve, rekomandon ndërhyrjet kryesore efektive të bazuara në prova:
1. kufizimin e aksesit në mjetet e vetëvrasjes ( p.sh. pesticide, armë zjarri, medikamente të caktuara);
2. ndërveprimi me mediat për raportim të përgjegjshëm të vetëvrasjes;
3. nxitjen e aftësive socio-emocionale të jetës tek adoleshentët;
4. identifikimin, vlerësimin, menaxhimin dhe ndjekjen herët e kujtdo që është i prekur nga sjelljet vetëvrasëse.
Këto duhet të shkojnë krah për krah me shtyllat themelore të mëposhtme: analiza e situatës, bashkëpunimi shumësektorial, rritja e ndërgjegjësimit, ngritja e kapaciteteve, financimi, mbikëqyrja, monitorimi dhe vlerësimi.
Përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjeve kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim midis sektorëve të shumtë të shoqërisë, duke përfshirë sektorin e shëndetësisë dhe sektorë të tjerë, si: arsimi, puna , bujqësia, biznesi, drejtësia, ligji, mbrojtja , politika dhe media. Këto përpjekje duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të integruara pasi asnjë qasje e vetme nuk mund të ndikojë në një çështje kaq komplekse sa vetëvrasja.

Sfidat dhe pengesat

Stigma dhe tabu
Stigma, veçanërisht rreth çrregullimeve mendore dhe vetëvrasjes, nënkupton që shumë njerëz që mendojnë t’i japin fund jetës së tyre ose që kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje nuk po kërkojnë ndihmë dhe për këtë arsye nuk po marrin mbështetjen që u nevojitet. Parandalimi i vetëvrasjes nuk është adresuar në mënyrë adekuate për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për këtë fenomen, si një problem madhor i shëndetit publik dhe tabu në shumë shoqëri për ta
diskutuar hapur atë. Deri më sot, vetëm disa vende kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjeve në prioritetet e tyre shëndetësore – vetëm 38 vende raportojnë se kanë një strategji kombëtare për këtë qëllim.

Rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit dhe thyerja e tabusë është e rëndësishme që vendet të
bëjnë përparim në parandalimin e vetëvrasjes.

Cilësia e të dhënave
Në nivel global, disponueshmëria dhe cilësia e të dhënave për vetëvrasjen dhe tentativat për vetëvrasje është e dobët. Vetëm rreth 80 shtete Anëtare të OKB-së, kanë të dhëna të regjistrimit jetësor të cilësisë së mirë që mund të përdoren drejtpërdrejt për të vlerësuar shkallën e vetëvrasjeve. Ky problem i të dhënave të vdekshmërisë me cilësi të dobët nuk është unik për vetëvrasjen, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, si dhe paligjshmërinë e sjelljes vetëndëshkuese në disa vende – ka të ngjarë që nënraportimi dhe klasifikimi i gabuar të jenë probleme më të mëdha për vetëvrasjen sesa për shumicën e shkaqeve të tjera të vdekjes.
Kërkohet mbikëqyrje dhe monitorim i përmirësuar i tentativave për vetëvrasje dhe vetëvrasjeve faktike, për të jetësuar strategjitë efektive parandaluese. Ndryshimet ndërkombëtare lidhur me modelet, shkallët, karakteristikat dhe metodat e realizimit të këtij akti fataliteti, nxjerrin në pah nevojën që çdo vend të përmirësojë gjithëpërfshirjen, cilësinë dhe afatin kohor të të dhënave të lidhura me vetëvrasjen. Kjo përfshin regjistrimin e domosdoshëm të vetëvrasjes, regjistrat e bazuar në të dhënat e spitaleve, në anketat përfaqësuese kombëtare që mbledhin
informacione rreth tentativave të vetëraportuara për vetëvrasje.

PSE DITA BOTËRORE E PARANDALIMIT TË VETËVRASJEVE ËSHTË E RËNDËSISHME
1. Vetëvrasja na prek të gjithëve
Shumë njerëz njohin dikë që i ka dhënë fund jetës, dikë që ka humbur një mik ose një anëtar të familjes për shkak se kanë kryer vetëvrasje. Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve është një kohë për të reflektuar mbi vlerën e jetës, se pavarësisht sa të këqija duken gjërat, ka gjithmonë shpresë.
2. Me ndërgjegjësimin vjen veprimi
Një nga qëllimet kryesore të Ditës Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve sipas OBSH-së, është “të rrisë ndërgjegjësimin për sjelljet vetëvrasëse dhe si t'i parandalojmë ato në mënyrë efektive”; Kërkoni ndihmë profesionale për parandalimin e situatave ekstreme nëse keni një mik që ju ka besuar dhe shprehur mendimet vetëvrasëse ose nëse shihni një postim shqetësues në mediat sociale. Njohuria na bën më të ndjeshëm ndaj çështjeve në shoqërinë tonë. Ndërgjegjësimi për numrat dhe shkaqet e vetëvrasjeve na ndihmon të normalizojmë faktorët
atribues, si depresioni. Shumica prej nesh nuk janë të kënaqur vetëm duke fituar jetesën e përditshme. Kur dalim vullnetarë për kauza si kjo (arrijmë të bëhemi heroi i dikujt), kjo na mundëson të ndihemi të motivuar, sikur kemi një qëllim madhor për të përmbushur.
3. Ajo vendos në qendër të vëmendjes çështjet e shëndetit mendor
Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve është një kujtesë se shoqëria ka nevojë për mbrojtje të vazhdueshme dhe në rritje për burimet e shëndetit mendor, në mënyrë që njerëzit që luftojnë me çrregullimet e shfaqura, të mund të gjejnë ndihmën që u nevojitet. Jo vetëm që Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit të Vetëvrasjeve na ndihmon të identifikojmë shenjat paralajmëruese tek njerëzit më të afërt, por edhe tek vetvetja. Ajo rrit inteligjencën tonë
emocionale dhe na ndihmon të mësojmë të jemi më elastikë.