Departamenti i Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor e ushtron aktivitetin e vet në bashkëpunim të ngushtë me Departamentet e tjera shkencore të ISHP-së, Drejtoritë/Shërbimet e Shëndetit Publik në bazë Rajoni/Rrethi, si dhe Sektorët Publik jashtë sferës së shëndetësisë dhe/ose organizma/organizata te ndryshme nga shoqëria civili brenda dhe jashtë vendit.

Drejtimet kryesore të aktivitetit të Departamentit të Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor janë:

Departamenti i Edukimit Shëndetësor dhe Promocionit të Shëndetit drejton dhe udhëheq nga ana metodike, didaktike dhe shkencore punën për:

(i) Sensibilizimin e grup-moshave të ndryshme për mbrojtjen dhe forcimin e shëndetit të tyre nëpërmjet forcimit të veprimtarisë edukativo-shëndetësore (informuese, edukuese, komunikuese). Për këtë synohet :

  1. rritja e shkallës së njohurive shëndetësore të publikut rreth shkaktarëve të sëmundjeve dhe masat parandaluese ndaj tyre.
  2. ndërgjegjësimi i komunitetit për rolin e edukimit shëndetësor dhe promocionit të shëndetit për mbrojtjen e shëndetit në përgjithësi dhe ndryshimin e sjelljeve të tyre.

(ii) Edukimin shëndetësor të grupeve vulnerabël dhe më konkretisht të grave shtatzëna, të nënave të reja, të fëmijëve të moshës shkollore, të moshës së tretë etj, duke përdorur :

  1. edukimin shëndetësor si një proces i komunikimit ndërpersonal për ndryshimin e sjelljeve mbi shëndetin, pra që njerëzit të mësojnë si t’a fitojnë dhe si t’a ruajnë atë.
  2. promocionin e shëndetit si një proces që u krijon njerëzve mundësitë për të rritur kontrollin ndaj shëndetit të tyre dhe për ta përmirësuar atë, si një veprim i përbashkët i komunitetit.

(iii) Ngritjen e nivelit teoriko-shkencor dhe metodik të punonjësve të vet si edhe të punonjësve të Shërbimit të Edukimit Shëndetësor në rrethe, nëpërmjet shfrytëzimit të dokumenteve bazë të OBSH-së, si Karta e Ottava-s, Karta Evropiane për Mjedisin dhe Shëndetin, Dokumentin e Alma-Ata-s, Shëndet për të Gjithë në Shekullin e 21-të, etj; të literaturës së gjerë bashkëkohore; shfrytëzimit të kontakteve midis specialistëve të vendit me ata të huaj, pjesëmarrjen në seminare kombëtare e ndërkombëtare si edhe angazhimin e punonjësve në studime të drejtpërdrejta.

(iv) Përgatitjen dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme edukativo-shëndetësore duke punuar për :

  1. Përgatitjen a materialeve metodike për teorinë dhe praktikën e Edukimit Shëndetësor dhe të Promocionit të Shëndetit.
  2. Përgatitjen e teksteve tip skenari për konkurse, spektakle dhe veprimtari të tjera.
  3. Përgatitjen e materialeve të ndryshme edukativo-shëndetësore si buletine, manuale, fletëpalosje, broshura, postera, spote etj.
  4. Studimin e nivelit të kulturës dhe edukatës shëndetësore të publikut nëpërmjet intervistimeve, vëzhgimeve, grumbullimit të të dhënave, etj.

Detyrat organizative:

  1. Departamenti i Edukimit Shëndetësor dhe Promocionit të Shëndetit paraqitet si një  Departament i veçante në ISHP dhe si Sektor i Edukimit dhe Promocionit në rrethe është në varësi të Drejtorive të Shëndetit Publik dhe Drejtorive të Kujdesit Shëndetësor Parësor.
  2. Ky Departament operon mbi bazën e një plani pune (vjetor, 6–mujor dhe mujor), të bazuar kryesisht në prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Promocionit Shëndetësor dhe të Shëndetit Publik.
  3. Ai siguron bashkëpunimin me institucionet e tjera shëndetësore duke shkëmbyer informacione, duke marrë pjesë në aktivitetet e përbashkëta dhe duke organizuar veprimtari të përbashkëta.
  4. Siguron bashkëpunimin me organet e medias elektronike dhe të shkruar.
  5. Bashkërendon veprimtarinë me OJQ-të e ndryshme që veprojnë në fushën e shëndetit, qofshin këto të huaja apo të vendit.
  6. Siguron bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe kulturore, si me Ministrinë e Arsimit, Institutin e Studimeve Pedagogjike, Drejtorinë Arsimore, Qendrën Kulturore të Fëmijëve etj.
  7. Organizon trajnimet mbi teorinë dhe praktikën e Edukimit Shëndetësor dhe Promocionit të Shëndetit, të personelit mjekësor dhe paramjekësor në të gjitha strukturat e shërbimit shëndetësor.
  8. Nxit, përkrah dhe ndërmerr nisma për studime shkencore në fushën e edukimit shëndetësor të komunitetit.
  9. Organizon fushata të ndryshme sensibilizuese me rastin e evenimenteve të caktuara shëndetësore, apo edhe për probleme të ndryshme emergjente.

Detyrat tekniko-profesionale te pergjithshme 

Departamenti i Edukimit Shëndetësor dhe Promocionit të Shëndetit harton dhe implemeton programe dhe projekte për probleme të ndryshme si:

  1. Promovimi i shëndetit në shkolla
  2. Alkoolin dhe drogën
  3. Duhanin
  4. HIV/AIDS-in dhe IST
  5. Aksidentet
  6. Nutricionin
  7. Mjedisin
  8. Shëndetin riprodhues
  9. Shëndetin Mendor

Organizon seminare dhe Workshop-e metodike treguese me tematika të ndryshme.

Organizon aksione edukative–shëndetësore, fushata sensibilizuese, panaire etj,  duke kërkuar pjesëmarrjen e institucioneve të ndryshme shëndetësore dhe jo, si edhe angazhimin e komunitetit.