Dita Botërore e Shëndetit 2025: “Fillime të shëndetshme për një të ardhme me shpresë”
Shëndeti i nënave dhe foshnjave është themeli i familjeve dhe komuniteteve të shëndetshme. Duke u kujdesur për ta, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritur për të gjithë.
Më 7 Prill 2025, Dita Botërore e Shëndetit, nisim një fushatë njëvjeçare të përkushtuar shëndetit të nënave dhe të porsalindurve. Nën moton “Fillime të shëndetshme për një të ardhme me shpresë”, kjo fushatë synon të inkurajojë qeveritë, profesionistët e shëndetësisë dhe komunitetet për të forcuar përpjekjet në eliminimin e vdekjeve të parandalueshme dhe për t’i dhënë përparësi mirëqenies afatgjatë të grave.
Të ndihmojmë çdo nënë dhe foshnjë të jetojë dhe të begatojë.
Sfida është urgjente. Çdo vit në botë:
🔴Gati 300,000 gra humbasin jetën për shkak të shtatzënisë ose lindjes.
🔴Më shumë se 2 milionë foshnja vdesin në muajin e parë të jetës.
🔴Miliona të tjerë lindin të vdekur.
Kjo përkthehet në një jetë të humbur çdo 7 sekonda, shumica e të cilave mund të ishin shpëtuar. Megjithatë, sipas ritmit aktual, 4 nga 5 vende nuk janë në rrugën e duhur për të arritur objektivat globale për mbijetesën e nënave deri në vitin 2030.
Dëgjimi i grave dhe mbështetja e familjeve…
Çdo grua dhe familje meriton kujdes shëndetësor cilësor që ofron mbështetje fizike dhe emocionale – para, gjatë dhe pas lindjes.
Sistemet shëndetësore duhet të përshtaten për të adresuar jo vetëm komplikacionet obstetrike, por edhe çështje të tjera, si: shëndeti mendor, sëmundjet jo të transmetueshme dhe planifikimi familjar. Për më tepër, politikat dhe ligjet duhet të garantojnë mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të grave.
Qëllimet e fushatës
✅Ndërgjegjësim – të theksojë boshllëqet në mbijetesën e nënave dhe foshnjave dhe rëndësinë e përkujdesjes afatgjatë për gratë.
✅Avokim – të nxisë investime efektive për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe foshnjave.
✅Veprim kolektiv – të mbështesë prindërit dhe profesionistët e shëndetësisë që ofrojnë kujdesin e domosdoshëm.
✅Edukimi shëndetësor – të ofrojë informacione të dobishme mbi shtatzëninë, lindjen dhe periudhën pas lindjes.
Duke investuar në shëndetin e nënave dhe të porsalindurve, ne sigurojmë një të ardhme më të shëndetshme dhe plot shpresë për brezat që vijnë.