DITA BOTËRORE E OSTEOPOROZËS

ÇFARË ËSHTË DITA BOTËRORE E OSTEOPOROZËS?
Dita Botërore e Osteoporozës (DBO), shënohet çdo vit më 20 tetor; një fushatë e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e saj dhe sëmundjeve muskuloskeletore të lidhura me to. Ajo synon të vendosë shëndetin e kockave dhe parandalimin e frakturave në agjendën globale, të arrijë tek profesionistët e kujdesit shëndetësor, mediat, politikëbërësit, pacientët dhe publiku në përgjithësi.

PSE ËSHTË “DBO” KAQ E RËNDËSISHME?
Aktualisht, osteoporoza është pamjaftueshmërisht e diagnostikuar dhe e trajtuar; kostot e mëdha njerëzore dhe socio-ekonomike, dhe ndikimi i rëndë i frakturave në pavarësinë e pacientëve janë të nënvlerësuara. Në mbarë botën, miliona njerëz në rrezik të lartë të thyerjes së kockave (frakturave) mbeten të pavetëdijshëm për sëmundjen e heshtur. Fushata vjetore DBO është një rast unik kur individët dhe organizatat në mbarë botën bashkohen për të vënë në qendër të vëmendjes sëmundjen dhe barrën e saj. Së bashku: shoqëritë e pacientëve, profesionistët e kujdesit shëndetësor, autoritetet mjekësore, politikëbërësit dhe vetë pacientët mund të kontribuojnë në thirrjen për ndryshim.

ÇFARË ËSHTË OSTEOPOROZA
Osteoporoza fjalë për fjalë do të thotë "kockë poroze". Është një gjendje ku kockat bëhen të holla dhe humbasin fortësinë e tyre, pasi bëhen më pak të dendura dhe cilësia e tyre ulet. Kjo mund të çojë në thyerje të kockave, të cilat shkaktojnë dhimbje dhe paaftësi. Kockat e thyera për shkak të osteoporozës mund të ndryshojnë rrjedhën normale të jetës, cilësinë e saj, të kenë një ndikim serioz në lëvizshmërinë dhe pavarësinë. Osteoporoza quhet shpesh “sëmundja e heshtur”, sepse shumica e njerëzve nuk e dinë se e kanë këtë çrregullim derisa të thyejnë një kockë pas një rënieje ose përplasjeje të vogël (e njohur si frakturë e brishtë).

FAKTE KRYESORE PËR OSTEOPOROZËN 1 *
Osteoporoza është e zakonshme dhe frakturat prej saj janë në rritje
• Në mbarë botën, një në tre gra dhe një në pesë burra të moshës 50 vjeç e lart do të kenë një frakturë të brishtë për shkak të osteoporozës gjatë jetës së tyre të mbetur.
• Në mbarë botën, osteoporoza shkakton më shumë se 8.9 milionë fraktura në vit, duke rezultuar në një frakturë të osteoporozës çdo 3 sekonda.
• Bazuar në përkufizimin e OBSH-së për osteoporozën, vlerësohet se rreth 500 milionë burra dhe gra në mbarë botën mund të preken. Osteoporoza vendos një barrë të rëndë për individët dhe familjet e tyre
• Tek gratë, osteoporoza llogaritet për më shumë ditë në spital sesa kanceri i gjirit, ataku në zemër, diabeti dhe shumë sëmundje të tjera.

• Tek meshkujt, rreziku gjatë gjithë jetës për frakturë si rrjedhojë e osteoporozës është më i madh se ai i kancerit të prostatës.
• Frakturat vertebrale (kurrizore) mund të çojnë në dhimbje shpine, humbje të gjatësisë, deformim, palëvizshmëri, rritje të numrit të ditëve në shtrat dhe ulje të funksionit pulmonar.
• Një grua 65 vjeçe me një frakturë vertebrale ka një në katër mundësi për një frakturë tjetër pas 5 vitesh.
Një frakturë çon në një tjetër
• Mbi 55% e pacientëve me fraktura të ijeve kanë dëshmi të një frakture të mëparshme vertebrale.
• Një frakturë e mëparshme shoqërohet me një rritje prej 86% të rrezikut të ndonjë frakture.
• Rreziku për të pësuar një frakturë tjetër është veçanërisht i lartë në dy vitet e para pas një frakture fillestare. Osteoporoza është e nëndiagnostikuar dhe e nëntrajtuar
• Pas një frakture të brishtë, rreth 80% e pacientëve ende nuk janë diagnostikuar dhe trajtuar për osteoporozën, sëmundjen themelore që shkaktoi frakturën.
• Vlerësohet se vetëm 1/3 e frakturave vertebrale vijnë në vëmendjen klinike. Ndërgjegjësimi i hershëm rreth faktorëve të rrezikut është thelbësor
• Nëse jeni në rrezik, kërkoni një vlerësim të shëndetit të kockave – bëni kontrollin e rrezikut të osteoporozës. Faktorët e rrezikut, përveç moshës më të madhe, përfshijnë: humbjen e gjatësisë, indeksin e ulët të masës trupore, sëmundje të caktuara (si artriti reumatoid), histori familjare, përdorimi afatgjatë i glukokortikoideve dhe medikamenteve të tjera.
• Nëse keni thyer ndonjë kockë (për shembull, kyçin e dorës) pas një rënie të vogël nga lartësia në këmbë, kjo mund të jetë një shenjë e osteoporozës. Sigurohuni që të pyesni mjekun tuaj për testim dhe trajtim – një kockë e thyer është një paralajmërim për më shumë që do të vijnë!
• Mos e injoroni dhimbjen e shpinës, humbjen e lartësisë dhe/ose shpinën e lakuar (kifozë) – këto mund të jenë një shenjë e frakturave vertebrale. Osteoporoza mund të diagnostikohet dhe trajtohet
• Trajtimet farmakologjike kanë treguar se zvogëlojnë rrezikun e frakturave të ijeve deri në 40%, frakturat vertebrale me 30-70%; dhe disa trajtime reduktojnë rrezikun për fraktura jovertebrale deri në 30-40%.
• Ju mund të ndihmoni në parandalimin e osteoporozës dhe të mbështesni trajtimin, duke ndjekur një dietë dhe stil jetese të shëndetshme për kockat, që përfshin ushtrime të rregullta të mbajtjes së peshës dhe rezistencës.

* Faktet e listuara më sipër gjenden në faqen e internetit të IOF, përfshirë:https://www.osteoporosis.foundation/facts- statistics/epidemiology-of-osteoporosis-and-fragility-fractures (me referenca)