Dita Botërore e Goditjeve Cerebrale
29 tetor – Dita Botërore e Goditjeve Cerebrale
Çdo vit në 29 tetor organizohet Dita Botërore e Insulteve.
Insulti (ose goditja në tru) ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e infarktit.
Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur infarkti i trurit është i patrajtuar.
Organizata Botërore e Strokut (WSO) deklaron se një në katër të rritur do të përjetojë një goditje në tru gjatë jetës.
Në këtë kontekst Dita Botërore e Insulteve, shihet si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe uljen e barrës për këtë sëmundje në nivel lokal, rajonal dhe global.
Të ushtruarit rregullisht dhe të ushqyerit shëndetshëm do të na ndihmojnë të mos jemi pjesë e statistikave “një në katër”.
Nëpërmjet krijimit të një platforme globale, në Ditën Botërore të Insulteve përforcohen zërat tanë individualë dhe rritet numri i pjesëmarrësve në zhvillimin e bisedave rreth trajtimit dhe mbështetjes së nevojshme për të qenë sa më efektivë, duke përforcuar idenë se goditjet në tru janë të parandalueshme.
Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për të zvogëluar shanset për të marrë një goditje në tru është të bëhemi fizikisht aktivë.
Tema e këtij viti (2024) është:
Te bashkuar bëhemi më të fortë!
#TëLuftojmëSëbashkuIsheminë
Fushata këtë vit është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me fuqinë e sportit, për të na nxitur dhe motivuar të gjithëve që të kryejmë aktivitet të përditshëm për të zvogëluar rrezikun e goditjes në tru.
Goditja në tru është një sëmundje jo e transmetueshme që sulmon miliona njerëz në mbarë botën çdo vit. Fushata Botërore, veç të tjerash, synon të inkurajojë njerëzit të kuptojnë faktorët e rrezikut të goditjes, si: presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë në gjak. Fushata promovon gjithashtu jetesën e shëndetshme, njohjen e shenjave paralajmëruese të goditjes në tru dhe mënyrën se si mund të ndërmerren veprime.
Shenjat kryesore të insultit
Fytyra – Fytyra duket e rënë nga njëra anë.
Krahët – Keni dobësi në njërin krah.
Të folurit – Keni vështirësi në artikulim.
Koha – Nëse këto simptoma janë të pranishme, është koha për të thirrur shërbimin e urgjencës.
Si ta ulni rrezikun e insultit?
A e dini se 90% e rasteve të insultit janë të lidhura me 10 rreziqe të shmangshme? Nëse keni diabet, probleme të zemrës ose histori familjare, bisedoni me mjekun tuaj rreth rrezikut të insultit dhe trajtimeve parandaluese. Nё vijim, po rendisim hapat që mund të ndjekë secili, për të zvogëluar mundësitë dhe rrezikun e insultit.
- Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.
- Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht.
- Mbani një dietë të shëndetshme të pasur me fruta, perime dhe me pak kripё, në mënyrë që të keni një shëndet sa mё tё mirё, gjithashtu dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut.
- Ulni kolesterolin.
- Mbani peshën në normë.
- Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit.
- Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë ёshtё pёr shёndetin tuaj.
- Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru.
- Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun tuaj.
- Njihuni me faktorët e rrezikut, si: presioni i lartë i gjakut, diabeti, kolesteroli i lartë në
Si aktiviteti fizik ul rrezikun e goditjes në tru?
Goditja në tru është shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në mbarë botën, por shumica e goditjeve mund të parandalohen, duke adresuar një numër të vogël të faktorëve kryesorë të rrezikut.1 milion goditje në vit janë të lidhura me pasivitetin fizik, ndaj duke zhvilluar aktivitet fizik sipas rekomandimeve, ju do të reduktoni rrezikun për të pasur një goditje në tru.
Vetëm 30 minuta ushtrime, afërsisht pesë herë në javë, mund të zvogëlojnë rrezikun tuaj për t’u prekur nga një goditje në tru me rreth 25%.
Ju duhet të jeni aq aktiv sa të jetë e mundur në çdo ditë. Aktivitete të vogla të përditshme, si: ecja në vend që të marrësh makinën, ngjitja e shkallëve në vend të ashensorit, kopshtaria dhe punët e shtëpisë do t’ju ndihmojnë të qëndroni të shëndetshëm dhe të reduktoni rrezikun tuaj për goditje në tru.
Një mënyrë e mirë është: të jesh aktiv 30 minuta çdo ditë, 5 ditë në javë!