CV-të dhe pagat e nënpunësve që janë subjekt deklarimi sipas ligjit, përfshirë dhe anëtarët e kabinetit të titullarit të AP, përshkrim të procedurës së zgjedhjes, kompetencat dhe detyrat e tyre

DREJTORI I ISHP

1. Emërimi dhe Lirimi

Emërimi dhe lirimi i Drejtorit të ISHP-së bëhet nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kriteret për emërimin e Drejtorit të ISHP-së janë në përputhshmëri të plotë me funksionet e ISHP-së të përcaktuara ligjërisht:

“Instituti i Shëndetit Publik është qendër e kërkimit shkencor në shëndet publik, qendër reference e shërbimeve në fushën e shëndetit publik, qendër universitare e trajnimit në shëndet publik dhe qendër e informacionit në shëndet publik”
(neni 12, Ligji nr.10 138, datë 11.5.2009 “Për Shëndetin Publik”).

Rrjedhimisht, kriteret minimale për emërimin e Drejtorit të ISHP-së janë:

  • Mjek;
  • Të ketë të paktën Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave” (me përparësi prania e Titujve Shkencorë “Profesor” apo/dhe “Profesor i asociuar”);
  • Eksperiencë në aktivitetin shkencor, kërkimor dhe akademik në fusha të Shëndetit Publik duke patur publikime në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare;
  • Të ketë aftësi dhe eksperiencë menaxheriale në fushën e kërkimit dhe zhvillimit shkencor dhe profesional dhe fusha të shëndetit publik.

2. Funksionet e Drejtorit

Drejtori i ISHP-së:

  • Është titullari i ISHP-së.
  • E ushtron veprimtarinë e tij konform ligjeve në fuqi, vendimeve të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe detyrave të përcaktuara nga kjo rregullore.
  • Siguron realizimin e objektivave dhe detyrave profesionale dhe ekonomike dhe përgjigjet periodikisht para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të gjithë veprimtarinë e ISHP-së.
  • Organizon, bashkërendon dhe kontrollon veprimtarinë e përgjithshme, shkencore, të edukimit dhe punës në terren të ISHP-së dhe e përfaqëson atë.
  • Është kryetar i Këshillit Shkencor të ISHP-së.
  • Është kryetar i Këshillit Drejtues të ISHP-së.
  • Është personi zyrtar, i autorizuar i cili ushtron detyrën e tij drejtpërdrejt duke drejtuar e kontrolluar aktivitetin e ISHP-së, nëpërmjet aktiviteteve zbatuese e administrative, duke u dhënë detyra dhe udhëzime vartësve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij.
  • Miraton politika, strategji, plane, programe dhe prioritete shëndetësore të diskutuara në Këshillin Shkencor, në bazë të politikës dhe strategjisë kombëtare shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
  • Menaxhon, mbikëqyr dhe koordinon shërbimet, departamentet, sektorët e ISHP-së.
  • Miraton projektbuxhetin e përgatitur, e hartuar nga Drejtoria e Financës; ndarjen dhe destinacionin e fondeve buxhetore të financuara; mënyrat, format e evidentimit dhe kontrollit të administrimit të këtyre fondeve sipas legjislacionit në fuqi për buxhetin e shtetit dhe udhëzime të ndryshme në zbatim të tyre.
  • Miraton dhe ndjek zbatimin mbi planet dhe programet për zhvillimin, kualifikimin, dhe administrimin e burimeve njerëzore në përputhje me politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
  • Në përputhje dhe zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore, nxjerr urdhra dhe udhëzime të brendshme, të detyrueshme për zbatim.
  • Miraton të gjitha programet dhe materialet e ISHP-së, që i paraqiten Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe organeve të tjera të larta shtetërore, si dhe institucioneve të tjera analoge vendase ose të huaja.
  • Miraton planet e punës, objektivat dhe projektet e njësive bazë (departamenteve) të ISHP-së.
  • Miraton propozimet për lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë, në përputhje me qëllimin dhe misionin e ISHP-së, si dhe përgjigjet për realizimin e detyrimeve kontraktore që rrjedhin prej tyre.
  • Emëron dhe shkarkon punonjësit e ISHP-së, bazuar legjislacioni në fuqi.
  • Miraton përbërjen e të gjitha komisioneve konsultative & ad hoc (të përkohshme) të ISHP-së.
  • Mbikëqyr aktivitetin e burimeve njerëzore sipas legjislacionit në fuqi.
  • Në përputhje me aktet ligjore, jep masa administrative dhe ndëshkuese ndaj punonjësve që shkelin disiplinën në punë.
  • Kontrollon, ndan detyra dhe merr informacion lidhur me aktivitetin e ISHP-së nëpërmjet mbledhjeve periodike të Këshillit Drejtues, të përcakuar në nenin 11.
  • Në rastet kur Drejtori largohet për punë jashtë shtetit ose merr lejen vjetore, ngarkon Zëvendëstitullarin Teknik/ekonomik si Zëvendës, për aq kohë sa do të zgjasë largimi i tij.

3. CV e Drejtori i Përgjithshëm

Për të parë CV e plotë, ju lutem klikoni butonin e mëposhtëm:


 Shkarko CV (PDF)

Kategoria e pagës së Titullarit të ISHP është: I-4