1 DHJETOR
DITA BOTЁRORE E LUFTЁS KUNDËR HIV/AIDS
Çdo vit, më 1 Dhjetor, përkujtohet Dita Botërore e HIV/AIDS. Njerëzit anekënd globit bashkohen për të treguar mbështetje për personat që jetojnë me HIV dhe për të kujtuar ata që kanë humbur jetën nga sëmundjet e lidhura me HIV/AIDS-in.
Çdo Ditë Botërore e HIV/AIDS-it fokusohet në një temë specifike, i bashkohet një liste në rritje të sfidave, të cilat kanë alarmuar njerëzit në mbarë botën.
HIV/AIDS mbetet një çështje kryesore e shëndetit publik që prek më shumë se 2 milionë njerëz në Rajonin Evropian të OBSH-së.
Gjatë viteve të fundit, progresi drejt synimeve të HIV-it ka ngecur, burimet janë tkurrur dhe si rezultat, shumë jetë janë në rrezik. Pabarazia e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e HIV-it në veçanti, dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut janë ndër dështimet që lejuan që HIV/AIDS-i të shndërrohet dhe të mbetet një krizë globale shëndetësore.
Më 1 dhjetor, OBSH bashkohet me partnerët për të shënuar Ditën Botërore të HIV/AIDS-it 2022, nën temën “Barazi!”.
OBSH-ja u bën thirrje udhëheqësve dhe qytetarëve globalë që me guxim të njohin dhe adresojnë problematikat reale që po pengojnë përparimin në përfundimin e HIV/AIDS-it; të barazojnë aksesin në shërbimet thelbësore të HIV-it, veçanërisht për popullatat kryesore – burrat që bëjnë seks me burra, personat transgjinorë, njerëzit që përdorin drogë, punonjësit e seksit, të burgosurit, emigrantët dhe partnerët e tyre.
E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e HIV/AIDS-it ishte dita e parë ndërkombëtare për shëndetin global. Çdo vit, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, qeveritë dhe shoqëria civile bashkohen për të bërë fushatë rreth temave specifike që lidhen me HIV-in.
Aktivitete ndërgjegjësuese zhvillohen në mbarë globin.
Shumë njerëz mbajnë një fjongo të kuqe, simbolin universal të ndërgjegjësimit, mbështetjes dhe solidaritetit me njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS.
Njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet si për sëmundjen në fjalë dhe për çështje të tjera të rëndësishme të jetës.
Grupe njerëzish që jetojnë me HIV/AIDS dhe organizata të tjera të shoqërisë civile të përfshira në përgjigjen ndaj HIV/AIDS-it mobilizohen në mbështetje të komuniteteve të cilave u shërbejnë dhe për të mbledhur fonde.
Dita Botërore e HIV/AIDS-it mbetet po aq e rëndësishme sot sa ka qenë gjithmonë, duke u kujtuar njerëzve dhe qeverive se HIV/AIDS nuk është zhdukur. Ekziston ende një nevojë kritike për rritjen e fondeve për përgjigjen ndaj HIV/AIDS-it, për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin që ka në jetën e njerëzve, për t’i dhënë fund stigmës dhe diskriminimit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave që jetojnë me HIV/AIDS.