13 mars 2023
2 Prill, Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin
Gjatë dekadës së fundit, është bërë përparim i madh drejt rritjes së aksesit në arsim në përgjithësi, si dhe për personat me autizëm në veçanti. Megjithatë, në vitin 2020, ndërsa pandemia COVID-19 u përhap në të gjithë globin, shumica e vendeve njoftuan mbylljen e përkohshme të shkollave, duke prekur më shumë se 90 për qind të studentëve në mbarë botën. Ndërprerja e të mësuarit e shkaktuar nga pandemia ka përmbysur progresin e viteve dhe ka përkeqësuar pabarazitë në arsim.
Shumë studentë me autizëm janë goditur veçanërisht rëndë dhe studimet tregojnë se ata janë prekur në mënyrë disproporcionale nga ndërprerjet e rutinave, si dhe nga shërbimet dhe mbështetja të cilat ata përfitonin.
Objektivi 4 i Zhvillimit të Qëndrueshëm – Arsim cilësor.
17-të Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuara nga liderët botërorë në Kombet e Bashkuara në vitin 2015-të, ofrojnë një plan për adresimin e sfidave kryesore me të cilat përballet bota, përfshirë pabarazinë.
Objektivi 4 i Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 4) fokusohet në sigurimin e arsimit cilësor, gjithëpërfshirës, të njëvlershëm, dhe promovimit të mundësive të të mësuarit të pandërprerë (pavarësisht moshës), si bazë për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe reduktimin e pabarazive.
Objektivat specifike për “SDG 4” i referohen nevojës për të siguruar “akses të barabartë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional” për personat me aftësi të kufizuara; për ndërtimin dhe përmirësimin e objekteve arsimore, “mjediseve mësimore gjithëpërfshirëse dhe efektive për këdo”- të ndjeshme ndaj aftësisë së kufizuar.
Në këtë drejtim, SDG-të i bëjnë jehonë Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Neni 24 i Konventës njeh se, “personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën për arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor në baza të barabarta me të tjerët, dhe se duhet të sigurohet përshtatje e arsyeshme e kërkesave të individit”.