1 Mars: Dita e Diskriminimit Zero.

 

Dita e Diskriminimit Zero është një lëvizje globale që zhvillohet çdo vit më 1 mars. E udhëhequr nga UNAIDS, Dita është një thirrje për veprim për çrrënjosjen e diskriminimit në të gjitha format dhe promovimin e përfshirjes sociale dhe tolerancës. Jo të gjithë gëzojnë të njëjtin nivel privilegji, por t’i privosh dikujt të drejtën për të jetuar ashtu siç dëshiron është padrejtësi. Çdo individ ka të drejtë të jetojë me dinjitet, pavarësisht nga pamja, raca, përkatësia gjeografike apo besimi.

Çuditërisht, diskriminimi zakonisht është i rrënjosur në frikë ose keqinformim dhe rezistencë ndaj të panjohurës. Krijimi i vetëdijes dhe dialogut për diskriminimin është një mënyrë për të zhvilluar mirëkuptimin dhe tolerancën ndaj të tjerëve. Diskriminimi është në thelb një shkelje e të drejtave të njeriut dhe duhet të kundërshtohet. Lajmi i mirë është se të gjithë mund të bëjnë një ndryshim. Mund të mos duket kështu, por një veprim mund të krijojë një efekt domino që transformon shoqëritë bazuar në drejtësi dhe barazi.

Në Ditën e Diskriminimit Zero këtë vit, nën temën "Shpëtoni jetë – Dekriminalizoni!", UNAIDS thekson se, një qasje pozitive ndaj popullatave kryesore dhe njerëzve që jetojnë me HIV shpëton jetë dhe ndihmon në përfundimin e pandemisë së SIDA-s.

Ligjet penalizuese ndaj atyre që jetojnë me HIV dhe popullatave kryesore shkelin të drejtat njerëzore, përkeqësojnë stigmën dhe i vënë individët e ndryshëm në rrezik duke krijuar pengesa për mbështetjen dhe shërbimet që u nevojiten për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Në vitin 2021, bota në përgjigje konkrete ndaj HIV-it dhe popullatave kryesore të lëna pas dore deri atëherë, vendosi objektiva ambicioze të reformës ligjore.

Duke njohur dekriminalizimin si një element kritik në përgjigje, u ra dakord që deri në vitin 2025 numri i vendeve me mjedise jo të përshtatshme (ndëshkuese) si nga pikëpamja ligjore dhe politike që ndikojnë drejtpërdrejt në reagimin ndaj HIV-it të ulej në më pak se 10% .

Megjithatë, pavarësisht disa reformave inkurajuese, bota është larg arritjes së objektivit.

Në fakt, sot ka 134 vende që kriminalizojnë ose ndjekin penalisht ekspozimin, moszbulimin ose transmetimin e HIV-it në mënyrë eksplicite; 20 vende kriminalizojnë dhe/ose ndjekin penalisht personat transgjinorë; 153 vende kriminalizojnë të paktën një aspekt të punës seksuale; dhe 67
vende tani kriminalizojnë aktivitetin seksual të të njëjtit seks, sipas UNAIDS. Përveç kësaj, 48 vende ende vendosin kufizime për hyrjen në territorin e tyre për personat që jetojnë me HIV, ndërsa 53 vende raportojnë se ata kërkojnë testim të detyrueshëm për HIV (për shembull., për certifikatat e martesës ose për kryerjen e profesioneve të caktuara). 106 vende raportojnë se kërkojnë pëlqimin e prindërve që adoleshentët të kenë akses në testimin e HIV-it.

Kriminalizimi nxit diskriminimin dhe pabarazitë strukturore. Ai ua grabit njerëzve mundësinë e një jete të shëndetshme dhe të përmbushur. Dhe kjo pengon përfundimin e SIDA-s. T’i japim fund kriminalizimit për të shpëtuar jetë!