Dita Botërore e Mjedisit

“Mjedisi i pastër sot shëndet i mirë nesër” ky ishte njëri ndër sloganet me të cilën mbi 150 pjesmarrës, nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Rrethit Shkodër, marshuan rrugëve të qytetit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit me datë 5 Qershor.

Të organizuar si kurrë ndonjëhere më parë, atë ditë rrugët e qytetit u mbushën me zërat e femijve dhe të rinjve që me pankarta në duar dhe me kartolina për nënat të lidhur në qafë, në të cilat me shumë përkushtim kishin përgatitur mesazhe promocionale për një mjedis të shëndetshëm, ndezën kurioizitetin e komunitetit të qytetit Shkodër teksa shpërndanin fletëpalosje dhe ftonin bashkëqytetarët e tyre të ishin pjesë e kësaj inisiative.
Aktiviteti startoi në një ndër lagjet më problematike të qytetit ( lagjen Zdralej) me qëllimin e mirë, për të trokitur në vëmendjen e pushtetarëve lokalë dhe komunitetit në pëgjithësi pikërisht në këtë lagje, për t’i bërë ata të kthejnë kokën edhe në këtë segment të rëndësishëm dhe mjaft të frekuentuar, dhe reflektuar sado pak për kushtet higjenike mjedisore kritike në të cilën ndodhet.
Pas shpërndarjes së materialeve promocionale nga pjesmarrës të këtij aktiviteti, filloi marshimi përgjatë rrugëve të qytetit gjatë të cilit nxënësit manifestonin me postera në duar mesazhe të thjeshta, të qarta, të sinqerta e të goditura ashtu siç vetëm mendja e tyre mund t’i prodhojë.
Gjithashtu , gjatë marshimit, kemi bërë një ndalesë në sheshin ”Një maji” në qëndër të qytetit ku një grup nxënësish kanë filluar një kërcim për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt mesazheve mjedisore që ata dëshironin të përcillnin.
Të shumtë ishin partnerët që na ndihmuan në organizimin e këtij eventi, duke filluar që nga Qendra e Informacionit Aahrus, Organizata World Vison, Fshati i Femijve SOS, Shoqata SHIS (Shoqata Internacionale per Solidaritetin), Qendra Rinore Trokitje, Policia e Qarkullimit Rrugor, Bashkia Shkodër si edhe shkollat pjesmarrëse në këtë aktivitet. Vlen të përmendet që përveç fëmijëve dhe partnerëve, kanë qënë të pranishëm mësues, prindër, infermjere shkollash, aktorë të tjerë të shoqërise civile dhe njerëz të thjeshtë. Së fundmi, morën pjesë edhe Mediat lokale si TV Lezha, TV Rozafa, TV Kopliku, Zëri i Amerikës, te cilat pasqyruan me rigorozitet këtë aktivitet në mediat e tyre.

Marjeta Çela
Specialiste
Promocioni dhe Edukimi Shëndetësor /Shkodër