26 Shtator 2017, Dita Botërore e Kontracepsionit

Loading Events
  • This event has passed.
Description

KONTRACEPSIONI

DITA BOTËRORE E KONTRACESIONIT

26 SHTATOR 2017

 

Dita Botërore e Kontracepsionit është një fushatë globale, e cila organizohet çdo vit më 26 shtator.Filluar nga viti 2007, vizioni dhe misioni i kësaj fushate vjetore është të përmirësojë ndërgjegjësimin mbi kontracepsionin, si dhe të mundësojë që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.

Motoja e Ditës Botërore të Kontracepsionit “Kjo është jeta juaj, është përgjegjësia juaj”, inkurajon sidomos të rinjtë të përdorin kontracepsionin në planet e tyre për të ardhmen, për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme IST.

Fakte kryesore mbi Planifikimin Familjar/Kontracepsionin

  • 214 milionë gra të moshës riprodhuese në vendet në zhvillim do të donin të shmangnin shtatzëninë, por ato nuk po përdorin asnjë metodë kontraceptive.
  • Në të gjithë botën, rreth 41% e shtatzënive çdo vitjanë tëpadëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort.
  • Këto ndodhin te femrat të cilat nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive ose nga përdorimi jokorrekt i tyre, shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi kontraceptivët.
  • Disa metoda të planifikimit familjar si p.sh. kondomi, ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
  • Planifikimi familjar përforcon të drejtat e njeriut për të përcaktuar numrin e fëmijëve të tyre dhe hapësirën nga njëra lindje tek tjetra.
  • Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar/ kontracepsioni parandalon vdekjen e nënave dhe fëmijëve.

PËRFITIMET E PLANIFIKIMIT FAMILJAR

Promovimi i planifikimit familjar – dhe sigurimi i qasjes në metodat kontraceptive të preferuara për gratë dhe çiftet – është thelbësor për sigurimin e mirëqenies dhe pavarësinë e grave, duke përkrahur shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve.

 ·         Parandalon rreziqet shëndetësore të lidhura me shtatzëninë te gratë Aftësia e një gruaje për të zgjedhur nëse dhe kur të jetë shtatzënë, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e saj. Planifikimi familjar mundëson vonimin e shtatzënisë dhe pakëson rrezikun për probleme shëndetësore dhe vdekje prej shtatzënive në moshë të hershme. Ai parandalon shtatzënitë e padëshiruara, edhe te gratë në moshë të madhe që përballen me rreziqe të larta që lidhen me shtatzëninë. Planifikimi familjar u mundëson grave që dëshirojnë, të kufizojnë madhësinë e familjeve të tyre. Evidencat tregojnë se gratë që kanë më shumë se katër fëmijë janë në rrezik në rritje për vdekshmëri amtare. Duke reduktuar shkallën e shtatzënive të padëshiruara, planifikimi familjar gjithashtu redukton nevojën për abort të pasigurt, dhe rrjedhimisht redukton vdekjet prej këtyre aborteve.

  • Redukton vdekshmërinë foshnjore

familjar mund të parandalojë shtatzënitë dhe lindjet afër nga njëra-tjetra duke kontribuar kështu në nivele më të ulëta të vdekshmërisë foshnjore në botë. Foshnjat e lindura nga një shtatzëni e padëshiruar, kanë norma të larta të vdekshmërisë foshnjore.  Foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes gjithashtu kanë një rrezik më të madh për vdekje dhe shëndet jo të mirë.

  • Ndihmon në parandalimin e HIV/AIDS

Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnje më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre). Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë si kundër shtatzënive të padëshiruara ashtu dhe kundër Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme, përfshirë HIV.

  • Ndihmon në fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit

Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë që të ndjekin arsimimin shtesë dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, familja më e vogël u lejon prindërve të investojnë më shumë në secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë janë më në gjendje t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra janë më të prirur për të vazhduar më gjatë shkollimin.

  • Redukton shtatzënitë tek adoleshentet

Shumë vajza adoleshente që mbeten shtatzënë duhet të lënë shkollën. Kjo ka implikime afatgjata për ato si individë, por edhe për familjet dhe komunitetet e tyre. Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje parakohe, apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Bebet e lindura nga adoleshentet kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore.

Është e rëndësishme që planifikimi familjar të jetë gjerësisht i disponueshëm dhe lehtësisht i qasshëm nëpërmjet stafit të trajnuar shëndetësor, për këdo që është seksualisht aktiv, përfshirë adoleshentët.

Në Shqipëri, shërbimet e PFamiljar kanë filluar me liberalizimin e abortit në vitin 1991 dhe sot, ato ofrohen në tre nivelet e kujdesit shëndetësor: kujdesin shëndetësor parësor: qendrat shëndetësore dhe ambulanca në qytet e fshat; kujdesin shëndetësor dytësor: qendrat e planifikimit familjar në maternitetet e rretheve;  kujdesin shëndetësor tretësor: qendrat e gruas pranë Spitaleve Universitare Obstetrik-Gjinekologjik materniteti “Nëna Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” në Tiranë. Nga viti 1996, kontraceptivët si pilula, prezervativi, injeksioni, DIU-ja dhe lidhja e tubave, ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike. Lidhja e tubave, dhe vendosja e DIU-së në mitër realizohet vetëm në maternitete nga mjekë specialistë obstetër-gjinekolog.

Planifikimi familjar i lejon njerëzit të arrijnë numrin e tyre të dëshiruar të fëmijëve, dhe të përcaktojnë ndarjen midis shtatzënive. Kjo arrihet përmes përdorimit të metodave kontraceptive (dhe trajtimit të infertilitetit).

Më poshtë informacion mbi disa nga metodat kryesore kontraceptive.

Metoda kontraceptive 

Kontraceptiv oral (pilulat, tabletat) janë ndër metodat e kontracepsionit të përdorura më gjerësisht nga femrat, në të gjithë botën, që nga viti 1960. Pilulat kontraceptive gjithashtu  zvogëlojnë rrezikun për kancerin e mitrës dhe vezoreve. Ato pihen nga goja për aq kohë sa femra dëshiron të mos ngelet shtatzënë. Nëse femra dëshiron të ngelet shtatzënë, mjafton që të ndërpresë pirjen e tabletave, dhe aftësia për të mbetur shtatzënë rikthehet menjëherë. Nëse femra ka diarre apo të vjella, tabletat nuk thithen plotësisht dhe efekti i tyre zvogëlohet. Nëse harrohet të pihet një tabletë, efekti i tyre zvogëlohet dhe rritet mundësia për një shtatzëni. Kontraceptivët oralë janë dy llojesh: pilula e kombinuar orale që përmban dy hormone (estrogjen e progesteron), dhe pilula vetëm me progesteron. Kjo e fundit mund të përdoret dhe nga gratë që janë duke ushqyer fëmijën me gji, por është e rëndësishme që të merret në të njëjtën kohë çdo ditë.

Kontracepsioni injektabël/me injeksion në muskul aplikohet nga personeli shëndetësor 1 herë në 2 apo 3 muaj, në varësi të llojit të kontraceptivit. Nëse shkohet për injeksionin pasardhës me 2 javë vonesë, kjo nuk ka siguri. Injeksioni është metodë e sigurt, e kthyeshme, afatgjatë, mund të përdoret nga femrat e çdo moshe dhe nuk kërkon përdorim ditor.

Kontracepsioni i urgjencës/pilula e urgjencës është menduar për përdorim emergjent (prandaj quhet dhe kontracepsioni i urgjencës) në situata pas një marrëdhënie seksuale kur nuk janë përdorur kontraceptivët. Kontracepsioni i urgjencës mund të përdoret në një numër situatash, mbas një marrëdhënieje seksuale të pambrojtur që përfshijnë:kur nuk është përdorur asnjë kontraceptiv, në raste përdhunimi apo seksi të detyruar pa përdorur një metodë kontraceptive, kur ka një dështim të përdorimit të metodës ose përdorimi i pasaktë i saj (si çarje të prezervativit, shkarje, ose përdorimi i pasaktë i tij; harresa e 3 a më shumë pilulave të kombinuara kontraceptive rresht; marrja me më shumë se 3orë vonesë e pilulës vetëm me progestogen;  marrja me më shumë se 12 orë vonesë e pilulës me desogestrel (0,75 mg); marrja me më shumë se 2 javë vonesë e injeksionit vetëm me progestogen – norethisterone enanthate (NET-EN); tërheqje dështuar (derdhje e spermës në vaginë ose organet genitale); llogaritje e gabuar e periudhës së fertilitetit).

Kontraceptivi i urgjencës duhet të merret brenda 5 ditëve pas një marrëdhënie të pambrojtur. Nëse një grua pa dashje merr pilula emergjente pasi është shtatzënë, pilula nuk dëmton nënën apo fetusin. Një femër mund të furnizohet paraprakisht me kontraceptiv emergjence që ajo t’i ketë në dispozicion kur është e nevojshme, dhe mund t’i marrë sa më shpejt që të jetë e mundur pas marrëdhënieve të pambrojtura.

OBSH rekomandon si kontraceptiv urgjence edhe paisjen intrauterine/DIU bakri. Kur përdoret si një kontraceptiv emergjence, duhet të futet brenda 5 ditëve nga një akt seksual i pambrojtur. Kjo metodë është veçanërisht e përshtatshme për një grua që do të donte të fillonte të përdorte një metodë kontraceptive shumë efektive, me veprim të gjatë dhe të rikthyeshme.

Dispozitivi Intra Uterin-DIU (aparati, spiralja, tubi, sterileja, etj) është një tub i vogël fleksibël, i cili vendoset në mitër nëpërmjet vaginës nga një mjek i specializuar. DIU-ja të mbron nga një shtatzëni e padëshiruar për një kohë të gjatë, që në varësi të DIU-së shkon deri në 10-12 vjet. Ekzistojnë DIU prej bakri dhe hormonale. Nëse femra ndërron mendje dhe dëshiron të ngelet shtatzënë, mjafton të shkojë te mjeku ta heqë dhe aftësia për të ngelur shtatzënë rikthehet menjëherë. Kjo metodë nuk ndikon në marrëdhënien seksuale. DIU-ja mund të vendoset në çdo kohë, por do të ishte mirë menjëherë pas menstruacioneve, pas lindjes ose pas abortit për t’u siguruar që nuk ka ndodhur një shtatzëni. Është mirë gjithashtu, që përpara vendosjes së DIU-së të bëhet një analizë e sekrecioneve vaginale, për t’u siguruar që nuk është prezent ndonjë infeksion.

Prezervativi/kondomi është një metodë e thjeshtë për t’u përdorur. Prezervativi është e vetmja metodë kontraceptive që siguron mbrojtje të dyfishtë: të mbron njëkohësisht nga një shtatzëni e padëshiruar, dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Prezervativi është një metodë e thjeshtë për t’u përdorur, e sigurt, pa efekte anësore hormonale, nuk ka nevojë për kujdesin e specialistit, i lehtë për ta marrë apo blerë në çdo vend, mund të përdoret nga çdo moshë dhe mund të mbahet lehtësisht me vete.

Metoda kontraceptive të tjera janë: kondomët femërore, metoda e ditëve standarde, implantet, metoda e amenorresë së laktacionit (e ushqyerjes me gji), tërheqja apo metoda tradicionale.

Një femër përpara se të fillojë përdorimin e një metode kontraceptive duhet konsultohet me personelin shendetësor. Ai ndihmon në zgjedhjen e metodës që do të përdoret, si dhe do të japë informacion më të hollësishëm për metodën e zgjedhur.

Start Date - End Date

Sep 26, 2017 - Oct 01, 2017

Start Time - End Time

8:00 am - 5:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This