Dita Botërore e Ujit

Ujë i sigurt për Shëndetin

Aktivitetet e Ditës Botërore të Ujit

Promocioni i Shëndetit Publik e konsideron Ditën Botërore të Ujit si një ditë të rëndësishme sensibilizuese për ruajtjen e vlerave të ujit të pijshëm dhe konsumin e sigurt për ruajtjen e shëndetit human.
Muaji mars në kalendarin e promocionit të shëndetit përkon me muajin sensibilizimit të higjienës dhe ujit të pijshëm dhe realizohen një sërë aktivitetesh në bashkëpunim me institucione shëndetësore, arsimore dhe mediat.
Me rastin e ditës botërore të ujit institucionet shëndetësore qëndrore dhe lokale, ndërmorën organizimin e aktivitetit në bashkëpunim me nxënës të shkollave 9 vjeçare në Tiranë. Aktiviteti konsistoi në lancimin e ditës botërore të ujit nga Ministria e Shëndetësisë me mesazhe të shumta drejtuar komunitetit për ruajtjen dhe sigurinë e ujit, mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e jetesës së shëndetshme.

Si u vendos dita botërore e ujit?

Në 22 dhjetor 1992, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që 22 marsin e çdo viti ta deklarojë si Ditën Botërore të Ujit, konform Axhendës 21 të konferëncës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin. Në këtë ditë ftohen shtete të ndryshme për të kontribuar në nivel lokal (kombëtar) me qëllim konkretizimin e aktiviteteve në lidhje me informimin publik, inicimin e tryezave të rrumbullakëta, organizimin e seminareve dhe ekspozimeve në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve ujore si edhe diskutimin e fazave të rekomandimeve që shtrohen në Axhendën 21 në nivel lokal. Në mbështetje të kësaj iniciative u hartua rezoluta e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila me anë të një vendimi shpalli datën 22 mars 2005 si dita që deklaron dhe fillimin e Dekadës Ndërkombëtare 2005 – 2015 për veprim, me temë “Uji për Jetën”. Shqipëria e njeh deklaratën e Kombeve të Bashkuara, i mbështet qëllimet e Kombeve të Bashkuara dhe objektivin e tyre të përgjithshëm “Ujë për të Gjithë”.
Temat e ditëve botërore ndër vite kanë qënë nga më të larmishmet duke patur në qëndër të vëmendjes ujin dhe shëndetin e njeriut: Ujë për Shëndetin, Ujë për Zhvillimin, Ujë për të Ardhmen, Uji dhe Katastrofat, Ujë për Jetën 2005 – 2015 (dekada e ujit për jetën), Uji dhe Kultura, Saniteti, Ujë i pastër për një botë të shëndetshme, Ujë për Qytetet: përgjigje për sfidën urbane, etj.

Departamenti i Promocionit të Shëndetit Publik
Zaira Poga