Në datën 7 prill në kuadër të ditës botërore të Shëndetit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik zhvilluan një aktivitet sensibilizues te kodrat e liqenit në Tiranë.

Tema e këtij viti, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është përcaktuar parandalimi dhe kontrolli i tensionit arterial apo ”presionit të gjakut” me qëllim sensibilizimin e popullatës si dhe të gjithë ofruesve të shërbimeve shëndetësore, për rëndësinë dhe mundësitë reale që ekzistojnë për parandalimin e Hipertensionit arterial dhe pasojave që lidhen me të.Objektivi i kësaj dite ishte dhënia e informacionit lidhur me rëndësinë e kontrollit të tensionit arterial, shpërndarja e mesazheve informuese për identifikimin e faktorëve kryesorë të riskut si dhe rëndësinë e adoptimit të sjelljeve të shëndetëshme.

Në këtë aktivitet morën pjesë pjesë Ministri i Shëndetësisë Prof.Dr.Halim Kosova,drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Prof.Dr.Enver Roshi, specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik si dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Në fjalën e tij Z. Enver Roshi theksoi se hipertensioni arterial mund të parandalohet dhe kontrollohet përmes një stili jete të shëndetshëm i cili përfshin;konsumin e reduktuar të kripës, dietës së balancuar, aktivitetit fizik të rregullt, shmangies së duhanpirjes si dhe mos abuzimit me alkoolin.Sipas zotit Roshi sëmundjet kardiovaskulare nuk janë më një fatalitet. Sëmundjet kronike mund të reduktohen duke shpëtuar me miliona jetë nëpërmjet reduktimit të faktorëve të riskut, zbulimit të hershëm të tyre dhe mjekimit në kohë. Shkaqet kryesore
janë të njohura dhe nëse ato eleminohen, të paktën 80% e sëmundjeve kardiovaskulare, iktuset, diabetit tip 2 dhe 40% e vdekjeve nga kanceret është e mundur të parandalohen.

Në rang botëror, hipertensioni arterial prek më shumë se 1 në 3 adultë të moshës mbi 25 vjeç, duke përbërë në këtë mënyrë kontribuesin kryesor të patologjive kardiake dhe aksidenteve cerebrale të cilat përbëjnë shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme dhe paaftësisë.
Në vendin tonë, vlerësohet që të paktën 46% e adultëve kanë vlera të tensionit arterial mbi normalen si dhe sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë rreth 59% të vdekjeve në popullatën shqiptare. Gjatë 20 viteve të fundit vërehet një rritje prej rreth 25% të sëmundjeve kardiovaskulare. Një pjesë e rëndësishme e kësaj rritje shkaktohet prej ndryshimeve demografike, rritjes së moshës mesatare të popullatës, por vërehet gjithashtu edhe një rritje nga shkaqe të tjera, kryesisht nga ndryshimi i stilit të jetesës.

Gjatë kësaj dite përveç shpërndarjes së materialeve informative u kryen falas edhe matje tensioni për të gjithë personat e pranishëm. Aktiviteti u mbështet nga mediat kryesore në vend të cilat përcollën informacionin e nevojshëm sensibilizues për publikun.