1 Dhjetor 2013

Me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS, në mjediset e Hotel Tirana, u zhvillua një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, përfaqësueses të Kombeve të Bashkuara zj. Zineb Touimi-Benjelloun si dhe  drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik  z. Arjan Bregu.

Në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë duke paraqitur panoramën dhe problematikat  e situatës së infeksionit HIV në Shqipëri,  theksoi angazhimin e strukturave shtetërore në  luftën kundër HIV/AIDS në përputhje me  moton  e fushatës ndërgjegjësuese të këtij viti:

Le të shkojmë drejt Zeros!

Zero infeksione të reja me HIV!

Zero vdekje nga SIDA!

Zero Diskriminimit!

Aktiviteti shënoi dhe përmbylljen e një seri aktivitesh ndërgjegjësuese të organizuara në mbarë vendin, në bashkëpunim me strukturat shëndetësore dhe të arsimit  në rrethe, si dhe me Organizatat  Jofitimprurëse aktive, në luftën kundër HIV/AIDS.

Nga data 22 -29 Nëntor  edhe Shqipëria iu bashkua  Javës Evropiane të Testimit për HIV. Qëllimi i saj është ndërgjegjësimi i  sa më shumë njerëzve, për të njohur statusin e tyre për  infeksionin HIV dhe reduktuar diagnozën e vonshme, nëpërmjet komunikimit të përfitimeve të testimit për HIV.

Në kuadër të kësaj jave Instituti i Shëndetit Publik, Programi Kombëtar HIV/AIDS në bashkëpunim me Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar dhe Konfidencial në rrethe, me Mnistrinë e Arsimit  dhe mbështetjen e Agjensive të Kombeve të Bashkuara organizoi një sër aktivitesh informuese dhe ndërgjegjësuese.

Në menyrë të veçantë në qendrat universitare të 4 rretheve, Tiranë (Qyteti Studenti), Vlorë, Korçë dhe Shkodër, krahas promovimit të testimit për HIV, u bë i mundur dhe ofrimi i testimit për HIV. Testimi u ofrua dhe u krye në mjedise të përshtatshme brenda universiteteve, dhe në përputhje me standartet e këshillimit dhe testimit.