Dita Botërore e Mjedisit

Mjedis i Pastër – Shëndet për të gjithë

Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës në kuadër të javës mjedisore dhe Ditës Botërore të Mjedisit organizuan një sërë aktivitetesh sensibilizuese me nxënës të shkollave të kryeqytetit. Aktivitetet nisën në Parkun Kombëtar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, ku nxënësit përveç materialeve senbilizuese që kishin përgatitur, kontribuan edhe në pastrimin e këtij mjedisi duke dhënë një shembull për të gjithë qytetarët, atë të mbajtjes pastër të mjedisit përreth ku ne qëndrojmë çdo ditë dhe ku kalojmë kohën e lirë siç janë edhe Kodrat e Liqenit në Tiranë.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Enver Roshi theksoi si të rëndësishëm ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve për pastrimin e mjedisit njëlloj si shtëpitë e tyre, pasi vetëm kështu do të shmanget ndotja dhe rreziku për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.
Sensibilizimi për mbajtjen pastër të mjedisit duhet të nis që në moshat shkollore ndaj dhe ky ishte synimi i Ministrisë së Shëndetësisë, që ky aktivitet të zhvillohej me nxënës të shkollave 9-vjeçare .Specialistët e shëndetësisë theksuan se do të shtohen të gjitha përpjekjet e institucioneve për më shumë vëmendje ndaj mjedisit.

Si u vendos dita botërore e mjedisit?

Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar mbi 30 vjet më parë nga Asambleja e përgjithëshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vemendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
5 Qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo dite zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar. Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke patur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.

Departamenti i Promocionit të Shëndetit Publik
Zaira Poga