Tema për vitin 2013
E ardhmja që ne duam: të dëgjohet zëri i të moshuarve

“Në vitin 2050, numri i personave të moshuar në vendet e zhvilluara do të jetë dy herë më i madh se numri i fëmijëve, ndërsa numri i të moshuarve në vendet në zhvillim pritet të dyfishohet . Kjo tendencë do të ketë efekte të thella në shumë vende dhe individë.”
(Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon)

“…Moshimi është si të ngjitesh në një mal; ju merret fryma por keni një pamje të mrekullueshme…” (I. Bergman)

Të moshuar janë personat mbi moshë 65 vjeç – sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Moshimi apo Plakja e popullsisë përbën për shoqërinë një fenomen demografik mjaft të rëndësishëm, i cili në të ardhmen do të jetë më i mprehtë me të gjitha pasojat që sjell ky fenomen.
Moshimi apo Plakja është një fenomen shumëformësh, e nëse vdekja është e paevitueshme, plakja mund të parandalohet. Edhe pse disa sëmundje bëhen më të shpeshta me kalimin e moshës, nuk është aspak e drejtë të mendohet se në moshë të shkuar është normale të vuash nga sëmundjet dhe invaliditeti.
Aktualisht, shoqëria njerëzore ndodhet përballë një realiteti të ri social e shëndetësor.

Megjithëse shumë persona të moshuar kanë probleme shëndetësore kronike, shumica e tyre nuk kanë probleme që të pengojnë aktivitetin e tyre normal apo lëvizshmërinë. Mendimet se shumica e personave të moshuar janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi si pasojë e sëmundjeve dhe invaliditetit, janë të gabuara.
Në përgjithësi, vetëm rreth 5% e personave në moshën e tretë janë të detyruar të mos dalin dot nga shtëpia si pasojë e problemeve shëndetësore kronike.

Moshim nuk është baraz sëmundje, paaftësi apo dënim. Moshimi apo Plakja është një proces biologjik

Tek të moshuarit ndodhin ndryshime biologjike të cilat kanë disa karakteristika

1. Karakteristika më e përgjithëshme është prirja për “t’u ngadalësuar”. Kjo
do të thotë se të moshuarit kanë nevojë për më shumë kohë për të bërë gjërat, por kjo nuk i pengon ata të realizojnë po aq, ose mos më shumë se individët më të rinj.
2. Ulja e rezistencës, si shkak i zvogëlimit të forcës muskulore, mbasi ulen
fibrat muskulore si në numër edhe në madhësi. Enët e gjakut bëhen më pak elastike.
3. Ulja e dëgjimit. Një në katër persona të moshës 65-70 vjeç preket nga një ulje e dëgjimit.Ulja e dëgjimit ul aftësinë për të dëgjuar të tjerët dhe komunikuar korrekt, gjë që çon në izolim shoqëror dhe depresion.
4. Ulja e shikimit . 70% e të moshurve mbi 60 vjeç kanë shikim të ulur, gjë që
çon në dëmtim të funksionit, rrit frikën e rrëzimit, ul aftësinë për punë, lexim, për të drejtuar makinën etj. Nga çrregullimet më të shpeshta të lidhura me shikimin tek të moshuarit është katarakti apo “perdja e syrit” siç njihet në gjuhën popullore, ose glaukoma apo “tensioni i syrit”.
5. Osteoporoza që shpesh është pa shenja derisa ndodh fraktura.Tek gratë e moshuara mbi moshën 60 vjeç , 25% preken nga osteoporoza.

Profili i sëmundjeve tek të moshuarit

Moshimi i bën njerëzit më të prekshëm nga aksidentet dhe sëmundjet. Me kalimin e moshës, shtohen si ndryshimet degjenerative të përgjithshme ashtu dhe shpeshtësia e disa sëmundjeve. Pra, një pacient i moshuar mund të vuajë nga shumë probleme dhe jo nga një çrregullim i vetëm. Afërsisht, një e pesta e personave të moshuar nuk ndjejnë dhimbje kur ndodh një infarkt miokardi. Nuk duhet harruar se dhimbja nuk është një shoqëruese normale e moshës së shkuar, prandaj nuk duhet injoruar asnjëherë.
Si pasojë e ndryshimeve biologjike që ndodhin në organizmin e të moshuarve, edhe sëmundjet jo vetëm janë më të shpeshta por ato shfaqen në mënyrë atipike, gjë e cila e vështirëson jo vetëm diagnozën e hershme të tyre dhe trajtimin e përshtatshëm, por mund të çojnë edhe në diagnoza të pasakta.

Sëmundjet kronike jo të transmetueshme përbëjnë problemet shëndetësore kyç për personat e moshuar. Rreth 80% e të gjithë personave të moshuar (mbi 65 vjeç) kanë një ose më shumë sëmundje kronike.
• Sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe kanceri janë gjendje
kronike të cilat përbëjnë edhe tre shkaqet kryesore të vdekjeve tek të moshuarit.
• Problemet mendore dhe ato emocionale përbëjnë një shqetësim për
shumë të moshuar. Më të shpeshta janë ankthi, depresioni me 15-30 % në moshat mbi 65 vjeç.
• Sëmundjet nga mungesat ushqimore, si anemi nga mungesa e hekurit, neuropati
nga mungesa e folateve dhe Vitaminës B12 etj.
• Sëmundjet degjenerative, si artritet degjenerative që prekin më shumë kyçet
e duarve, këmbëve, kurrizit etj.
• Seniliteti, i cili paraqitet si konfuzionin mendor ose paaftësi për të mbajtur
mend, që për fat të keq ende përdoret si referencë e moshës së tretë. Dy karakteristika bazë janë në thelbin e tij; deliriumi dhe demenca. Nëse deliriumi, i cili karakterizohet nga simptomat e çorientimit, haset në personat e të gjitha moshave, demenca vihet re sidomos tek të moshuarit. Rreth 10 % e personave të moshës së tretë janë të prekur nga ky problem.
Forma më e shpeshtë e demencës, e cila haset tek të moshuarit, është sëmundja e Alzheimerit. Shenjat e para të një individi me Alzheimer janë të lidhura me rënien e kujtesës. Me përparimin e sëmundjes fillojnë vështirësitë në orientimin në kohë dhe hapësirë, si dhe ndryshimet në personalitet dhe sjellje. Sëmundja vazhdon deri aty sa mund të preken edhe të folurit apo të ecurit, duke e bërë personin e prekur invalid të rëndë.
Për fat të keq, deri tani nuk ka një metodë parandalimi, trajtimi apo kurimi, dhe për shkaqet nuk mund të thuhet akoma ndonjë gjë e saktë.
Të dhënat nga Shqipëria për këtë sëmundje janë të pjesshme edhe për arsye të tabuve që ekzistojnë ende.
• Humbja e autonomisë si dhe sëmundjet e lidhura me moshën parashikohet se do të jenë epidemia e vërtetë e këtij shekulli.

Shkenca mjekësore ofron gjithnjë e më shumë mjete diagnostike dhe mjekuese mjaft të sofistikuara dhe efikase, duke ndihmuar në kontrollin e vdekjes së parakohshme për shumë të moshuar, por ka bërë shumë pak lidhur me uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve dhe të humbjes së autonomisë mes tyre.

Fakte nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

1. Moshimi është një fenomen global. Popullsia e moshuar në botë, 60 vjeç e lart, është duke u rritur me shpejtësi. Në vitin 2050, rreth 80 % e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara. Moshimi i popullsisë po ndodh paralelisht me urbanizimin e shpejtë: nga viti 2007 më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe në vitin 2030 kjo shifër pritet të rritet në më shumë se 60%.
2. Plakja e popullsisë është një triumf i shoqërisë moderne. Ajo pasqyron përmirësimin e shëndetit global, por edhe ngre sfida të veçanta për shekullin e 21-të në të gjitha vendet së bashku, si ato në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Jetëgjatësia është duke u rritur edhe në vendet në zhvillim.
3. Ka dallime të mëdha në jetëgjatësinë ndërmjet vendeve të lindjes
Pabarazitë e mëdha në shëndet vazhdojnë, siç duket qartë nga dallimet e jetëgjatësisë në lindje. Për shembull, ndërsa Japonia ka jetëgjatësinë më të lartë në botë në 82.2 vjet, në disa vende si Afrika kjo shifër është 40 vjet më e ulët.

4. Brenda vendeve, pabarazitë në shëndet janë gjithashtu të rëndësishme
Pra, grupet më të larta social-ekonomike mund të jetojnë deri në 20 vjet më gjatë se njerëzit e grupeve të ulta social-ekonomike.

5. Deri në vitin 2050, afër 80% e të gjitha vdekjeve pritet të ndodhin në njerëzit mbi 60 vjeç
Shpenzimet shëndetësore rriten me moshën, por më të përqendruara janë në dy vitet e fundit të jetës, pavarësisht se sa i vjetër është dikush. Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, është e rëndësishme t’u sigurohet këtyre viteve shëndet, në mënyrë që shpenzimet e kujdesit shëndetësor të mund të menaxhohen.

6. Shumica e të moshuarve vdesin nga sëmundjet kronike jo të transmetueshme
Edhe në vendet e varfëra tashmë shumica e të moshuarve vdesin nga sëmundje kronike jo të transmetueshme, siç është sëmundja e zemrës, kanceri e diabeti.

7. Investimi në shëndet gjatë gjithë jetës prodhon vlera për shoqërinë
Njerëzit e moshuar të shëndetshëm përfaqësojnë vlera për familjet e tyre, komunitetet dhe ekonominë. Asnjëherë nuk është shumë vonë për të ndryshuar sjelljet e rrezikshme e promovuar shëndetin: për shembull, rreziku i vdekjes së parakohshme ulet me 50 % nëse dikush heq dorë nga pirja e duhanit mes 60 dhe 75 vjeç.

8. Nevoja e një kujdesi afatgjatë po shtohet
Numri i të moshuarve të cilët nuk janë më në gjendje të kujdesen për veten, në vendet e zhvilluara pritet të katërfishohet në vitin 2050. Një numër i madh personash shumë të moshuar humbasin aftësinë për të jetuar të pavarur për shkak të paaftësisë për të lëvizur, dobësisë apo problemeve të tjera fizike apo mendore lidhur me moshën. Shumë prej tyre kërkojnë kujdes afatgjatë, ku mund të përfshijmë nevojën e një infermiereje në shtëpi, ndihmën nga të afërmit apo shtrime të gjata në spitale.

9. Kujdesi shëndetësor parësor efektiv në nivel komuniteti për të moshuarit është shumë i rëndësishëm për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike
Në përgjithësi, trajnimi i profesionistëve të shëndetit është më i pakët në lidhje me kujdesin e veçantë për njerëzit e moshuar. OBSH pohon se të gjithë ofruesit e shëndetësisë duhet të trajnohen për çështjet e moshimit, pa marrë parasysh profesionin e tyre.

10. Fatkeqësitë dhe emergjencat ndikojnë rëndë te njerëzit e moshuar
Për shembull, përqindja më e lartë e vdekjeve të shkaktuara nga cunami në Indonezi në vitin 2004 ishte te njerëzit mbi 60 vjeç, apo shumica e viktimave të valëve të nxehta në Evropë në vitin 2003 ishin njerëzit mbi 70 vjeç.

11. Tek të moshuarit rritet rreziku i rrëzimeve, dhe lëndimet janë shumë më serioze, gjë që çon në rritje të kostove shëndetësore, njerëzore dhe ekonomike

12. Abuzimi me të moshuarit është në rritje me plakjen e popullsisë dhe me dinamikën e ndryshimeve sociale
OBSH vlerëson se 4-6 % e personave të moshuar në mbarë botën vuajnë nga një formë abuzimi si fizik, psikologjik, emocional, financiar ose për shkak të lënies pas dore (neglizhimit).

Fakte nga vendi ynë

Në vendin tonë, në vitin 2009 popullsia e grupmoshave 60 vjeç e lart përbëjnë 12.9% të popullsisë, përkundrejt 9% që ishin në vitin 2007 apo 3% në vitin 1990. Nga pikëpamja gjinore femrat përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë 60 vjeç e lart.

Disa studime, në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit, tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një semundje kronike, ndërkohë 1/3 e tyre raportojnë se vuajnë me më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor.
Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë 5 viteve të fundit.
Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuaj gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuaj gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek Mjeku i Familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt 1- 4 recetave në muaj, që mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.

Nëse shohim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë, ato ndjekin trendin e përgjithshëm të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullsisë në tërësi.

Sëmundjet kronike më të shpeshta të raportuara mes të moshuarve shqiptarë, në disa studime të kryera në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit, janë sëmundjet kardiovaskulare me rreth 60%, diabeti me rreth 20%, të ndjekura nga sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet kronike të mushkërive dhe artriti reumatiod. Në vendin tonë, ende nuk është studiuar në mënyrë të përshtatshme prevalenca e problemeve të shëndetit mendor si neurozat dhe demencat.
Pothuajse të gjithë të moshuarit (94%) të përfshirë në studime, raportojnë se kanë shqetësime lidhur me dhimbjet kronike, ndërkohë që në mbi 15% të rasteve dhimbja është shumë e fortë. Mbi 30% e të moshuarve kanë probleme me shikimin dhe rreth 20% e tyre kanë probleme me dëgjimin.
Shifra është shumë më e madhe kur bëhet fjalë për aksesin në mjekimin e përshtatshëm: pothuaj 70% raportojnë të kenë pasur probleme me sigurimin e medikamenteve të rekomanduara nga mjeku.

Në raportin e publikuar në vitin 2011 nga rrjeti MOSHA u nënvizua se 8-9% e të moshuarve kanë probleme serioze të lidhura me autonominë dhe, praktikisht kanë nevojë të vazhdueshme për përkujdesje.

Por jo gjithçka është në dorën e tyre. Të moshuarit ndeshen shpesh me barriera shoqërore që ndikojnë mjaft në jetën e tyre. Gjithmonë e më shumë të moshuar jetojnë të vetmuar, ndërkohë që gjendja ekonomike e tyre është më e rëndë se pjesa tjetër e shoqërisë.

Ministria e Shëndetësisë ka qenë pjesë aktive e hartimit të Dokumentit Ndërsektorial Zhvillues dhe Planit të Veprimit për Moshimin, 2009-2013. Në këtë dokument është bërë një analizë për shëndetin e mirëqenien e personave të moshuar. Nga ana tjetër, ky dokument dhe plani i veprimit konfirmon vullnetin dhe angazhimin programatik të Qeverisë, në promovimin e vlerave dhe zgjerimin e kontributeve të të moshuarve në komunitetet ku ata jetojnë. Por akoma ka vend për përmirësim apo zgjerim të aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale publike dhe jopublike.

KUJTONI thënien e Marco Tullio Cicerone (45-44 a.C.) :“Shëndeti është një kapital i cili duhet mbrojtur, kujdesur dhe ndërtuar gjatë gjithë jetës. Shumë sëmundje të të moshuarve janë rezultati i mëkateve të rinisë. Prandaj, për të përmirësuar shëndetin e të moshuarve duhet të edukohen për shëndetin të rinjtë”.

Instituti i Shëndetit Publik
Departamenti i Promocionit dhe Edukimit Shëndetësor